Apeli i GJKKO-së: Arsyet për rikthimin e masës detyrim paraqitje për Sali Berishën
Gjykata e Posaçme e Apelit ka sqaruar vendimin për rikthimin e masës së sigurimit “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin dhe liderin e pòmjopozitës, Sali Berisha. Vendimi erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së zyrës së shtypit pranë kësaj gjykate.
Sipas Apelit, një nga arsyet kyçe për këtë vendim lidhet me faktin që ndodhemi në prag të fushatës zgjedhore dhe Berisha, si kryetar i partisë kryesore opozitare, duhet të ketë mundësinë të respektojë detyrimet e masës së re të sigurimit.
Historiku i Çështjes
Procedura ndaj Berishës nisi më 30 dhjetor 2023, kur GJKKO vendosi masën e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe bllokimin e pasaportës. Megjithatë, Berisha refuzoi ta zbatojë këtë masë, duke mos u paraqitur tek hetuesit. Si pasojë, masa u rëndua në “arrest shtëpie”.
Pas një kërkese nga avokatët e tij, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi bllokimin e pasaportës, ndërsa Apeli hoqi “arrestin në shtëpi” duke rikthyer masën “detyrim paraqitje”.
Arsyetimi i Gjykatës
Gjykata thekson:
1.Mungesa e kushteve për masa më të rënda: Nuk janë paraqitur prova të reja që të justifikojnë mbajtjen e masës së “arrest në shtëpi”.
2.Rrethana të jashtëzakonshme: Fakti që jemi në prag të zgjedhjeve dhe roli i Berishës si lider opozitar u morën në konsideratë.
3.Shlyerja e pasojave: Me një vit nën masën e “arrest në shtëpi”, Berisha konsiderohet të ketë shlyer pasojat ligjore për thyerjen e masës së mëparshme të sigurimit.
Gjykata paralajmëroi se, nëse Berisha nuk respekton detyrimet e masës “detyrim paraqitje”, organet e akuzës mund të kërkojnë rikthimin e një mase më të rëndë.
Ky vendim i fundit e rikthen çështjen në një pikë delikate, duke pasur parasysh rolin e Berishës në politikën shqiptare dhe tensionet para zgjedhjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



