E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Armët e Skënderbeut në Vjenë, nis “beteja” për rikthimin në Shqipëri
Lajme

Armët e Skënderbeut në Vjenë, nis “beteja” për rikthimin në Shqipëri

Një grup aktivistësh ka nisur një peticion online për rikthimin në Shqipëri të përkrenares dhe armëve që i atribuohen Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe që ruhen prej shekujsh në një muze në Vjenë.

Një nismë e re qytetare synon të rikthejë në Shqipëri disa prej objekteve më të lidhura me figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Bëhet fjalë për përkrenaren dhe armët që i atribuohen heroit kombëtar shqiptar dhe që aktualisht ndodhen të ekspozuara në një muze në Vjenë.

Nismëtarët kanë hapur një peticion online për t’i kërkuar institucioneve shqiptare që të shtojnë përpjekjet diplomatike dhe institucionale për rikthimin e tyre në Shqipëri. Sipas grupit që qëndron pas kësaj nisme, përpjekjet për këtë çështje janë përsëritur ndër vite, por deri tani nuk është arritur një rikthim i përhershëm i objekteve.

Azmer Duleviç, një prej nismëtarëve të peticionit, thotë se aktivistët kanë ndërmarrë edhe më herët iniciativa lidhur me mënyrën se si paraqitet figura e Skënderbeut në muzeun e Vjenës.

Sipas tij, një peticion i zhvilluar rreth një vit më parë çoi në vendosjen e një përshkrimi për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili, sipas nismëtarëve, mungonte më parë.

“Para një viti, në bazë të një peticioni që ne organizuam, detyruam Muzeun e Vjenës që të vendosë përshkrimin e heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu, prijësi i shqiptarëve, në përshkrimin që mungonte. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe për rikthimin e armëve”, deklaroi Duleviç.

Përpjekjet për të sjellë në Shqipëri përkrenaren dhe armët e Skënderbeut kanë një histori më të gjatë. Një nga rastet e hershme lidhet me vitin 1917, kur një delegacion shqiptar udhëtoi drejt Vjenës për të diskutuar çështjen.

Pas ndryshimeve politike të vitit 1990 pati një tjetër përpjekje për rikthimin e objekteve, ndërsa një zhvillim i rëndësishëm u shënua në vitin 2012, gjatë aktiviteteve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në atë periudhë, përmes një marrëveshjeje të përkohshme, përkrenarja dhe armët u sollën në Tiranë dhe qëndruan për disa ditë për t’u parë nga publiku shqiptar.

Nismëtarët e peticionit ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi versionin sipas të cilit objektet i janë dhuruar muzeut nga Donika Kastrioti, bashkëshortja e Skënderbeut.

Duleviç pretendon se nuk ka dokumentacion zyrtar që të provojë se armët janë blerë apo dhuruar në këtë mënyrë dhe i referohet edhe informacionit të publikuar nga vetë muzeu.

“Armët e heroit tonë kombëtar janë padrejtësisht në Muzeun e Vjenës, pasi nuk ka dokumente zyrtare që këto armë të jenë blerë apo janë dhuruar. Edhe në faqen zyrtare të Muzeut të Vjenës thuhet që nuk ka asnjë evidencë zyrtare që armët janë dhuruar nga gruaja e Skënderbeut, siç thuhet nga gojëdhënat”, tha ai.

Çështja ka marrë vëmendje edhe përtej grupit që ka ndërmarrë peticionin. Vizitorë të huaj që ndodhen në Shqipëri kanë shprehur habinë kur mësojnë se objektet që lidhen me Skënderbeun ruhen në Vjenë dhe jo në Shqipëri.

Një turist, i cili ka vizituar disa herë vendin, u shpreh se do ta konsideronte më të natyrshme që përkrenarja dhe armët e heroit kombëtar të ekspozoheshin në Shqipëri.

“Kam qenë tre herë këtu, e dua shumë Shqipërinë. Armët dhe helmetën e Skënderbeut ndodhen në Muzeun e Vjenës? Kujtova se ishin në muzeun tuaj. Skënderbeu është shqiptar, kështu që do të ishte mirë që të ishin këtu”, tha ai.

Peticioni synon të rikthejë në vëmendjen publike çështjen e objekteve të lidhura me Skënderbeun dhe t’u kërkojë institucioneve shqiptare të ndërmarrin hapa të rinj për rikthimin e tyre, qoftë edhe përmes marrëveshjeve të reja me institucionet austriake.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.