Dhunohet ekipi i Skënderbeut dhe trajneri para ndeshjes në Fushë-Krujë
FSHF anulon sfidën Iliria – Skënderbeu: Shqetësime për sigurinë
Ndeshja e javës së 14-të të Kategorisë së Parë, mes Ilirisë dhe Skënderbeut, e planifikuar për t’u zhvilluar këtë të mërkurë në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, është anuluar pas një incidenti të rëndë para hyrjes së ekipit korçar në ambientet e stadiumit.
Sipas klubit të Skënderbeut, trajneri Ernest Gjoka dhe disa futbollistë — ndër ta Saleh Nasr, Altin Ukiçi dhe Mario Gjata — janë dhunuar fizikisht nga futbollistë dhe anëtarë të stafit të Ilirisë, menjëherë pas mbërritjes së tyre në stadium. Ekipi korçar është tërhequr menjëherë nga zhvillimi i takimit, ndërsa ngjarja është raportuar edhe pranë FSHF-së.
“Forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, por në këto kushte futbolli nuk mund të luhej,” njofton Skënderbeu, duke shtuar se në Korçë mikpritja është traditë dhe se e njëjta qasje duhet të ekzistojë mes të gjitha klubeve.
FSHF, si organizatore e garës, ka njoftuar se për shkak të rrethanave dhe mungesës së kushteve të sigurisë, ndeshja nuk do të zhvillohet. Çështja i është kaluar komisioneve juridike të FSHF-së, të cilat do të vendosin masat dhe përgjegjësitë përfundimtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



