Ditën e sotme Forcat Speciale Renea arrestuan në Nikël të Fushë Krujës 37 vjeçarin Albert Zaja, autorin e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier.
Policia me anë të një njoftimi zyrtar thotë se 37 vjeçari ka qenë i armatosur me një armë zjarri tip pistoletë dhe në momentin që ka parë efektivët ka tentuar ta fshehë në baltë dhe të largohet, por është kapur nga policia.
Autorët e tjerë të shpallur në kërkim për ekzekutimin e Kastratit janë: Elmir Tufa, 29 vjeç, banues Fushë Krujë; Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, banues në Tiranë.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Nikla”.
Operacioni nga Forcat Speciale “RENEA”.
Kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë që e posedonte 37 vjeçari.
Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së datë 01.02.2021 dhe kapjen e autorëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për vendodhjen e një prej autorëve të vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Nikla”.
Në kuadër të operacionit, në fshatin Larushk të Krujës, Forcat Speciale RENEA bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Albert Zaja.
37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur nga Policia.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale ka vendosur në mungesë për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Operacioni vijon për kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarje.



