Arrestimi i Jorgo Goros, Meta: Një seri e re e drejtësisë me regji të Ramës

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në fjalën e tij përpara gazetarëve, komentoi arrestimin e kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.

Meta theksoi se arrestimi i Goros ishte vetëm një seri e re e drejtësisë me regji të Edi Ramës. Sipas tij, kreu i Rilindjes Edi Rama përdor për llogari okulte persona të tjerë, teksa i degdis ata në fund prapa hekurave.

“Nuk shohim asnjë gjë që të na impresionojë, përpos se një seri të re të drejtësisë me regji, që komandohet nga kreu i Ramaformës, Edi Rama. Këto probleme opozita i ka thënë prej kohësh. Arrestimi nuk zbut padrejtësinë në rastin Belerit.

Rama pasi i përdor dhe i shtyp mirë për llogari okulte, bazuar mbi paligjshmëri dhe tjetërsimin e pronave të qytetarëve, pastaj kujton se me këto arrestime do të shkarkojë një përgjegjësi të tij, kur dihet se përgjegjës për aktet është vetëm një, kreu i Rilindjes. Shteti ligjor është zhbërë, sepse Rama ka kapur gjykatat, prokurorinë, policinë e çdo gjë, rasti Beleri e demonstron këtë gjë, këtë mendim e kam shprehur në mediat greke dhe ato të huaja”, u shpreh Meta.

Meta ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të PD Lulzim Basha se Meta është pjesë e treshes më të vjetër politike të politikës, Rama-Meta-Berisha.

Meta u shpreh se dihet kush është pazarxhiu, duke kujtuar djegien e mandateve apo shtyrjen e zgjedhjeve lokale.

“Nuk bëhesh i ri duke lyer flokët. Siç ishte pazari edhe i djegies së mandateve, siç ishte pazari edhe për zgjedhjet lokale që i ra në gjunjë presidentit për të shtyrë zgjedhjet lokale dhe që e shtyu. E vendosi vetë datën e zgjedhjeve lokale dhe nuk e regjistroi PD në KQZ sic u regjistruan partitë e tjera të opozitës.

Pse? Jo se nuk i interesonte PD, por nuk i interesonte Edi Ramës, i cili duhet tu thoshte të huajave si do hyj në zgjedhjet lokale kur prapë PD nuk është regjistruar.

Të gjithë e dinë kush është pazarxhiu, e ka në ballë. Sa i takon pastaj të vjetër të rinj, e thashë që sado të lyhen flokët nuk ka rini aty ku shkëlqen mashtrimi”, tha Meta.

Publikuar nga Publik Media