Arrestohen 4 persona në Tiranë, i morën 55-vjeçarit 40 mijë euro
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Skema”, duke goditur një rast mashtrimi financiar me vlerë 40 mijë euro, si edhe një aktivitet të paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Nga hetimet ka rezultuar se pesë shtetas, duke u prezantuar përmes komunikimeve në një aplikacion si persona të njohur të viktimës, kanë arritur të mashtrojnë një 55-vjeçar, të cilit i kanë marrë shumën prej 40 mijë eurosh. Dorëzimi i parave ka ndodhur në zonën e rrethrrotullimit të Rinasit, ndërsa autorët janë larguar më pas me një automjet tip “Audi Q5”.
Si rezultat i veprimeve hetimore, policia ka arrestuar katër persona, konkretisht dy shtetas nga Divjaka dhe dy nga Kavaja, ndërsa njëri prej tyre është vënë në pranga për moskallëzim krimi. Gjithashtu, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Gjatë kontrollit të banesës së njërit prej të arrestuarve në Kavajë, uniformat blu kanë zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në kushte të mbyllura. Hapësira ishte e pajisur me ndriçim artificial, ventilatorë dhe mjete të tjera të nevojshme për rritjen e bimëve, duke treguar se aktiviteti ishte i mirëorganizuar.
Në kuadër të operacionit, policia ka sekuestruar dhjetëra bimë Cannabis, sasi të lëndëve narkotike Cannabis dhe Kokainë, pajisje për kultivim indoor, katër telefona celularë, si dhe automjetin “Audi Q5”, i përdorur nga autorët gjatë mashtrimit.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe prodhimi të paligjshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



