E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet “bankieri” i kokainës, lidhjet e dyshimta me Dritan Gjikën
Bota

Arrestohet “bankieri” i kokainës, lidhjet e dyshimta me Dritan Gjikën

Autoritetet në Ekuador kanë arrestuar Pablo Adrián Hidalgo Tuárez, i njohur me nofkën “Caballo”, i cili dyshohet se ka pasur një rol financiar në një strukturë kriminale të lidhur me shqiptarin Dritan Gjika, me origjinë nga Shkodra.

Hidalgo Tuárez u vu në pranga më 24 gusht 2026, në kantonin La Maná, në provincën e Cotopaxi, gjatë një operacioni të zhvilluar nga forcat e armatosura ekuadoriane në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas autoriteteve ekuadoriane dhe raportimeve të mediave lokale, ndaj tij kishte një urdhër arresti aktiv që prej vitit 2024. Ai dyshohet se është pjesë e një rrjeti kriminal të lidhur me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe strukturat e mafies shqiptare në Ekuador.

I dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash

Emri i Hidalgo Tuárez lidhet me dosjen hetimore të njohur si “Pampa”, një çështje e Prokurorisë ekuadoriane që heton një rrjet të dyshuar për trafikimin e kokainës nga Ekuadori drejt Evropës dhe pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Sipas hetimeve, “Caballo” dyshohet se ka vepruar si operator financiar i organizatës, duke ndihmuar në menaxhimin dhe qarkullimin e parave të lidhura me aktivitetin e paligjshëm.

Hetuesit kanë ndjekur transaksione që, sipas dosjes, kapin një vlerë prej më shumë se 43 milionë dollarësh. Dyshohet se paratë janë lëvizur përmes kompanive që operonin në sektorin e eksportit të produkteve bujqësore, si dhe përmes aktiviteteve të lidhura me shitblerjen e pasurive të paluajtshme dhe automjeteve.

Për shkak të këtyre dyshimeve, Hidalgo Tuárez është përfshirë në procedurat gjyqësore të çështjes “Pampa”, ndërsa ndaj tij urdhri i arrestimit ishte në fuqi prej vitit 2024.

Si lidhet me Dritan Gjikën?

Lidhja e “Caballo” me shqiptarët në Ekuador lidhet kryesisht me Dritan Gjikën, një shtetas shqiptar që autoritetet ekuadoriane e kanë identifikuar si një prej figurave të rëndësishme të rrjeteve kriminale shqiptare që veprojnë në vend.

Emri i Pablo Adrián Hidalgo Tuárez shfaqet edhe në materialet e hetimit të njohur si “León de Troya”, ku janë analizuar persona, kompani dhe lidhje të dyshuara rreth strukturës së Gjikës.

Sipas materialeve hetimore të cituara në raportime, Hidalgo dyshohet se ka qenë pjesë e rrethit të personave të lidhur me këtë strukturë dhe se ka pasur rol në aspektet financiare, transportin dhe logjistikën e aktivitetit të dyshuar të trafikut të drogës.

Hetimet në Ekuador kanë vendosur prej kohësh në fokus rrjetet kriminale që dyshohet se përdorin kompani dhe biznese të ligjshme për të lëvizur kokainën drejt tregjeve evropiane dhe për të fshehur origjinën e parave të përfituara nga trafiku.

Arrestimi i “Caballo” përbën një tjetër zhvillim në hetimet ndaj këtij rrjeti, ndërsa autoritetet ekuadoriane vijojnë të zbardhin lidhjet financiare dhe logjistike mes personave të dyshuar.

­

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.