Artan Hoxha sfidon Gjykatën për kthimin në detyrë të Dorina Hoxhës
Vendimi i Gjykatës Administrative për rikthimin në detyrë të dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Dorina Hoxha, vijon të mbetet i pazbatuar, megjithëse Universiteti i Tiranës e ka marrë zyrtarisht vendimin e arsyetuar.
Sipas dokumentacionit gjyqësor, më 24 korrik Universitetit të Tiranës iu komunikua vendimi i plotë i Gjykatës Administrative, i cili ka fuqi titulli ekzekutiv dhe urdhëron rikthimin e menjëhershëm të Dorina Hoxhës në detyrën e dekanes.
Më herët, rektori Artan Hoxha kishte argumentuar se nuk mund të ndërmerrte veprime vetëm mbi bazën e dispozitivit të vendimit, pa marrë arsyetimin e plotë të gjykatës. Ky argument, sipas palës së interesuar, nuk qëndron më pas komunikimit zyrtar të vendimit të arsyetuar më 24 korrik.
Gjykata Administrative, me vendimin e datës 16 korrik, e shpalli të paligjshëm pezullimin e Dorina Hoxhës dhe urdhëroi rikthimin e saj të menjëhershëm në detyrë. Në vendim theksohet se ekzekutimi nuk pezullohet nga ankimi dhe duhet të kryhet menjëherë.
Konflikti institucional nisi më 20 maj, kur rektori Artan Hoxha pezulloi dekanen me argumentin se kandidimi i saj për anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor krijonte konflikt interesi, pasi Fakulteti i Drejtësisë është pjesë e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve.
Megjithatë, ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” nuk parashikon pezullimin e dekanit në një situatë të tillë. Neni 40, pika 5, përcakton se, kur një dekan kandidon për KLGJ, ai nuk merr pjesë në mbledhjet dhe votimet që lidhen me këtë procedurë, ndërsa detyrat përkatëse ushtrohen përkohësisht nga një prej zëvendësdekanëve.
Po ashtu, një udhëzim i firmosur më herët nga vetë rektori Artan Hoxha parashikon të njëjtën procedurë, duke përcaktuar se zëvendësimi i dekanit bëhet vetëm për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe jo përmes pezullimit të tij nga detyra.
Pavarësisht vendimit të gjykatës dhe komunikimit zyrtar të tij në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Dorina Hoxha ende nuk është rikthyer në zyrën e dekanes, ndërsa vendimi gjyqësor vijon të mbetet i paekzekutuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



