E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Asgjë e re nga ‘Fabrika Kotësive’
Sot

Asgjë e re nga ‘Fabrika Kotësive’

Ritriti që polli hiçin

Ku është dobia publike nëse qeveria krijon një aplikacion që u lejon qytetarëve të shohin në kohë reale se në çfarë faze është ndërtimi i një vepre publike dhe pse po vonohet ajo?

Një rrugë, p.sh., mund të vonohet për 100 arsye. Mund të vonohet për shkak se qeveria nuk bën shpronësimet.

Mund të vonohet për shkak se buxheti nuk çel fondet shpejt.

Mund të vonohet për shkak të gabimeve në projekt, vonesës së lejes së ndërtimit.

Mund të vonohet për shkak se rrugës i rriten kostot, se kontraktori privat s’ka kapacitete etj., etj.

Ja, e panë qytetarët këtë, pastaj çfarë? E di sot publiku se pse po vonohet aeroporti i Vlorës. Por çfarë të bëjë?

Qytetarët s’kanë asgjë në dorë për ta zhbllokuar ngërçin. Qeveria po, i ka mekanizmat për ta zhbllokuar. Por qeveria s’ka nevojë për aplikacion, se e ka informacionin se çfarë po e vonon rrugën, aeroportin, ujësjellësin etj.

Në rastin më të mirë, kjo është një vrimë në ujë. Pra, një gjë e kotë, pa asnjë vlerë apo dobi publike, që i hidhet miletit si reforma e madhe e mandatit të katërt. Në rastin më të keq, është skemë për të marrë ca para të tjera me AKSHI-n apo ADS-në.

Ideja e dytë, transparenca e çmimeve. Së pari, u deshën 15 vjet në qeveri që kryeministri të flasë për herë të parë për koston e jetesës.

Kjo është arritje, se deri tani qeveria është marrë me punët e mëdha, s’ka pasur kohë për këto gjërat e vogla.

Por supozojmë se AKSHI ndërtoi me Beqirin e radhës një sistem online, ku populli të shohë çmimet nga dogana, te shumica dhe pastaj te pakica.

E panë njerëzit me sa vjen nafta në port. Sa shkon në shumicë dhe sa u vete në pompë. Kështu edhe për makaronat.

Po pastaj, çfarë? Prapë njerëzit nuk kanë asnjë mekanizëm në dorë për të ulur çmimet. Mekanizmat i ka qeveria.

Por qeveria e ka informacionin për të gjitha hallkat e zinxhirit të çmimeve në kohë reale edhe sot. Qeveria e di me sa vjen nafta në doganë, sa i shtojnë taksat, sa shton shumica dhe sa pakica.

E di sa marzh shton Luan Leka apo Vullnet Sinaj te makaronat, te vaji e kështu me radhë. Për çfarë duhet aplikacioni?

Pra, në një farë mënyre, ritrita e Pogradecit polli një jashtëqitje të madhe, siç ka qejf të thotë shpesh kryeministri.

Ah po, ka një ide që mund të jetë djallëzore aty. Do bëjmë shumë për strehimin, tha.

Ky mund të jetë një plan për të shpëtuar financiarisht ndërtuesit, që po u mbeten pallatet ose kullat pa shitur. Qeveria hyn me para publike për të hequr stokun e apartamenteve të pashitura.

Pra, karburant për të mbajtur në këmbë sistemin joproduktiv ekonomik dhe për të zgjatur agoninë e një modeli që herët a vonë mbaron. Kështu edhe qeveria hyn në biznesin e pastrimit të parave.

Me pak fjalë, Shqipëria ka një problem të madh. Nuk po i mbaron vetëm modeli ekonomik i tullës dhe betonit. I është ezauruar qeveria, e cila nuk ka më asnjë ide për të qeverisur, por vetëm paraziton në kotësira, duke mbajtur peng vendin.

Kjo vjen me shumë kosto, për të gjithë. Edhe për vetë fabrikën e kotësive.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.