E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aspak mëshirë për dorën  barbare që vrau Ilarian 22 vjeçe!
Lajme

Aspak mëshirë për dorën barbare që vrau Ilarian 22 vjeçe!

Alba Alimehmeti

Kjo botë ka nevojë për ligje të forta. Pa asnjë kompromis. Pa asnjë negocim. Pa mëshirë ndaj atyre që e shohin jetën e një vajze si diçka që mund të mbyllet në një valixhe.

Ilaria Sula, vetëm 22 vjeçe. Studente në degën e Statistikës në Universitetin La Sapienza, Romë. Një vajzë me ëndrra, një emigrante shqiptare që kishte zgjedhur dijen si rrugë përpara. E zhdukur më 25 mars 2025. E gjetur e masakruar. Trupi i saj u mbyll në një valixhe dhe u hodh si një send pa vlerë në një cep periferik, 40 km larg qytetërimit.

Ishte viktimë e të fejuarit të saj, një tjetër djalë që nuk mësoi kurrë të dashuronte pa kontrolluar, që nuk kuptoi kurrë se një njeri nuk zotërohet. Dhe kur ndjenja i iku nga duart, vendosi të vriste. Me thikë. Me egërsi. Me urrejtje.

Ilaria është viktima e 10-të e feminicidit në Itali për vitin 2025. Por për ne është më shumë se një statistikë. Ajo është zëri i ndërprerë i një brezi të tërë vajzash që jetojnë mes frikës dhe heshtjes. Mes kërcënimeve e poshtërimeve që nuk denoncohen. Që shpesh kalojnë për “konflikte në çift”, për “xhelozi të momentit”, për “dështime marrëdhëniesh”. Jo. Janë krime. Krime të pastra. Dhe sistemi ka dështuar në çdo shkallë të tij t’i ndalojë.

Në vitin 2020, Teuta dhe Shpëtim Pasho, po nga Shqipëria, u gjetën të masakruar në valixhe, në Firenze. E prapë, valixhja si simbol i fundëve tragjikë të emigrantëve tanë — të shndërruar në statistika, në lajme të trishta që harrohen sapo shuhen dritat e kamerave.

Po ne s’mund të harrojmë. Dhe s’mund të heshtim.

Dhuna nuk fillon me thikën. Dhuna fillon me fjalën. Me mënyrën se si një burrë i drejtohet një gruaje. Me mënyrën se si një deputet, një politikan, një drejtues i flet me arrogancë, me fyerje, me urrejtje një gazetareje, një aktivisteje, një kundërshtari. Dhuna është gjuha që kemi normalizuar në ekran, në komente, në jetën e përditshme. Dhe dhuna sjell dhunë.

Nuk mund të jesh përfaqësues i qytetarëve nëse dhunën e ke të përditshme në gjuhë, në qëndrim, në filozofi. Politika nuk është për të fortët me grusht. Është për ata që mbrojnë të pambrojturit. Dhe Ilaria ishte e pambrojtur.

Kërkojmë drejtësi. Kërkojmë ligje që nuk falin. Burgim të përjetshëm për autorët e këtyre krimeve. Nuk ka rehabilitim për barbarinë. Nuk ka arsye për justifikime. Dhe nuk ka më kohë për heshtje.

Nëse nuk ndëshkojmë dhunën me forcë, po i themi çdo mashkulli dhunues se mund të vazhdojë. Po i themi çdo vajze si Ilaria se jeta e saj nuk vlen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.