E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentati ndaj gazetarit Ranucci, mafia shqiptare nën shënjestër
Bota

Atentati ndaj gazetarit Ranucci, mafia shqiptare nën shënjestër

Sigfrido Ranucci, gazetari investigativ i RAI3, është përfshirë në një atentat tronditës në Romë, ku një sasi prej 1 kg tritoli shpërtheu para banesës së tij, duke shkatërruar makinat e tij dhe të vajzës së tij. Ky sulm ka rikthyer në kujtesë atentatet mafioze të viteve ’90 në Itali dhe po hetohet nga Drejtoria Antimafia e Romës.

Ranucci jeton nën mbrojtjen e policisë që prej vitit 2020, pas një tentative të dështuar atentati ndaj tij. Në atë rast, autori ishte një i ri shqiptar, i cili u përfshi në një aksident me motor para shtëpisë së gazetarit. Ranucci doli për ta ndihmuar dhe shpëtoi jetën, ndërsa më vonë shqiptari i identifikuar si Ardian pranoi se ishte paguar për ta vrarë gazetarin.

Sipas mediave italiane, hetuesit besojnë se pas sulmit ndaj Ranucci qëndrojnë disa persona, të cilët e kanë ndjekur për ditë të tëra. Më pas, ata janë fshehur midis pemëve pranë banesës në lagjen Pomezia të Romës, duke pritur largimin e eskortës policore përpara se të aktivizonin manualisht fitilin e tritolit, që shpërtheu mes dy vazove me lule jashtë shtëpisë së gazetarit.

“Il Giornale” raporton se autoritetet janë në kërkim të një personi me kapuç, i identifikuar nga një dëshmitar i cili u largua pak para shpërthimit, duke hipur në një makinë që po ashtu është identifikuar. Në shqyrtim janë pamjet e kamerave të sigurisë, edhe pse më e afërta ndodhet mbi 50 metra larg vendit të ngjarjes.

Dyshohet se autorët e krimit e dinin saktësisht vendndodhjen e prezantuesit të emisionit “Report”, i cili sapo ishte kthyer në Itali pas disa ditësh larg. Bomba ishte artizanale, por shumë e fuqishme, pa përdorur as kohëmatës, as telekomandë. Shpërthimi, që ndodhi në orën 22:17, shkatërroi dy makinat vetëm 20 minuta pas kthimit të vajzës së Ranucci në shtëpi. Gazetari, i përlotur, deklaroi: “Mund ta kishin vrarë atë”.

Ky sulm ishte një akt frikësimi me rrezik potencial për jetën, i mundshëm të planifikuar prej kohësh. Drejtoria Antimafia po heton katër deri në pesë pista, me fokus kryesor temat e ndjekura nga Ranucci në emisionet e tij, përfshirë krimin e organizuar, ekstremizmin e ultrasve të futbollit dhe veprimtaritë e klaneve mafioze.

Gazetari deklaroi pas daljes nga prokuroria se në episodet e ardhshme do të kthehen te masakrat mafioze dhe infiltrimi i këtyre klaneve në tenderat publikë. Ai shtoi se bomba mund të jetë paralajmërim për disa investigime që po zhvillojnë aktualisht.

“Il Fatto Quotidiano” shkruan se nuk përjashtohet mundësia e një sulmi të porositur. Njësia Hetimore ka sekuestruar dy makinat e shkatërruara dhe po punon për gjetjen e gjurmëve nga pjesët e bombës, që mund të çojnë te autorët.

Burime hetimore theksojnë se eksplozivi është i ngjashëm me ato të përdorura në incidente të tjera të fundit nga komuniteti kriminal në Romë. Prandaj, hetuesit përqendrohen në lidhjet midis ekstremit të djathtë, grupeve ultras ekstremiste dhe kriminelëve vendas. Po ashtu, ndërtimet në zonën bregdetare kanë qenë objekt investigimesh të “Report”.

Hetuesit po analizojnë edhe kërcënimet e mëparshme ndaj gazetarit, duke përfshirë plumbat që u gjetën një vit më parë pranë shtëpisë së tij, si dhe letrat kërcënuese që i janë dërguar. Sipas “Il Fatto Quotidiano”, i penduari i “Ndrangheta”, Luigi Bonaventura, rrëfeu se në burg kishte dëgjuar se “Ranucci është një njeri i shënjuar”.

Nën hetim edhe mafia shqiptare

“Il Fatto Quotidiano” njofton se hetimet përfshijnë edhe qarqet kriminale shqiptare. Në vitin 2024, programi “Report” denoncoi marrëveshjet për trajtimin e emigrantëve në Shqipëri, të cilat shpesh lidhen me ultrasit.

Ndërkaq, “Corriere della Sera” raporton se hetuesit janë rikthyer te ekzekutimi i shqiptarit Selavdi Shehaj, me nofkën “Passerotto”, vrarë më 20 shtator 2020 në plazhin e Torvajanicës. Ai kishte bazën operative jo shumë larg shtëpisë së Ranucci. Dy anëtarë të mafias së Romës janë dënuar me burgim të përjetshëm për këtë vrasje, njëri prej të cilëve është i njohur për lidhjet me Camorra.

Motivacioni i vrasjes lidhet me kontrollin e trafikut të drogës dhe larjen e hesapeve në një territor prej kohësh të kontestuar nga shumë interesa të ndryshme, të ndara midis klaneve lokale, degëve të organizatave të mëdha kriminale, familjeve historike dhe grupeve kriminale shqiptare.

Investigimi i RAI3 dhe çfarë e tërboi Edi Ramën

Edhe pse duket larg tani, vrasja e shqiptarit, që antimafia e Romës e lidh ngushtësisht me atë të bosit të drogës Fabrizio Piscitelli, një vit më parë, nxjerr në pah interesat kriminale që shqetësojnë atë pjesë të bregdetit. Prokurorët e cilësuan ngjarjen më shumë si akt frikësimi sesa atentat i dështuar.

“Corriere della Sera” shkruan se është shumë herët për të thënë nëse sulmi ndaj Ranucci ka lidhje të drejtpërdrejta me këto ngjarje, por gazetari vetë ka deklaruar se janë “katër ose pesë pista brenda të njëjtit kontekst”. Në këtë kontekst kriminal ndërthuren botët e ndryshme kriminale që Ranucci ka ndjekur në emisionin “Report” të RAI3. E vetmja siguri deri tani është se ky sulm nuk është vazhdim i kërcënimeve të vjetra, por një përpjekje e re për frikësim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.