Atentati në Rinas, del ekspertiza e armëve të gjetura në mjetin e djegur
Zbardhen detaje të reja nga atentati i ndodhur më 11 nëntor në Rinas, ku u vranë me breshëri plumbash Gilmando Dani dhe miku i tij, Muçi Shaljani, oficer i AMP-së, i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.
Ekspertiza e armëve të gjetura në makinën e djegur të autorëve ka treguar se ato nuk janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, duke përjashtuar përfshirjen e tyre në krime të mëparshme.
Pas atentatit, në fshatin Zall u zbulua një banesë me arsenal armësh në pronësi të Ylli Zallës, i cili u shpall në kërkim. Hetuesit dyshonin se autorët mund të kishin siguruar armët aty, por ekspertiza vërtetoi të kundërtën.
Personi i shoqëruar mbrëmjen e 9 dhjetorit, 35-vjeçari B.XH nga fshati Halil, pranë vendit ku u dogj makina “Toyota” e autorëve, është liruar pas marrjes në pyetje disa orëshe. Ai ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen dhe ka deklaruar se në momentin e atentatit nuk ndodhej në shtëpi. Ky shoqërim u bë pasi më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë.
Një muaj pas ngjarjes, policia vijon të marrë në pyetje persona të ndryshëm që mund të kenë dijeni për atentatin, por deri tani nuk janë identifikuar autorët apo porositësit. Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani sapo ishin kthyer nga Barcelona kur atentatorët u vunë në pritë te rrethrrotullimi i Rinasit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



