E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ku dështoi policia me atentatin në Rinas? Akuzat e forta
Lajme

Ku dështoi policia me atentatin në Rinas? Akuzat e forta

E zbulon ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në zonën e aeroportit të Rinasit, pas atentatit të rëndë që tronditi vendin disa ditë më parë. Ai theksoi se zona që konsiderohet ndër më të monitoruarat në vend rezultoi praktikisht e pambrojtur.

Ahmeti kujtoi se perimetri përreth aeroportit duhet të jetë i mbuluar njëkohësisht nga disa struktura të sigurisë, policia territoriale, kufiri, shërbimet antitraffik, si edhe agjencitë e inteligjencës shqiptare  dhe ndërkombëtare. Megjithatë, sipas tij, pamjet filmike tregojnë se në momentin e atentatit zona ka qenë “krejt e boshatisur”.

“Po flasim për aeroportin që përdoret si simbol suksesi për numrat e turistëve. Megjithëse konsiderohet një nga pikat më të sigurta në letër, në momentin kritik nuk ndodhej asnjë forcë që të reagonte,” tha Ahmeti.

Ai kundërshtoi hapur edhe deklarimin zyrtar se ngjarja ka ndodhur brenda “110 sekondave”, duke argumentuar se dinamika e plotë e atentatit ka zgjatur shumë më tepër. Sipas tij, nga momenti kur automjeti i viktimave është ndaluar, deri te kryerja e sulmit dhe djegia e makinës së autorëve, ka kaluar rreth një orë e gjysmë, kohë e mjaftueshme që policia të kishte ndërhyrë.

“Është e pabesueshme të thuhet se gjithçka ka ndodhur në pak sekonda. Koha e pritjes, veprimit dhe largimit të autorëve shkon rreth 90 minuta. Kjo është flagrancë dhe policia ka pasur mundësi të reagojë në çdo moment,” u shpreh Ahmeti në emisionin “Terminal” të A2 CNN.

Sipas tij, incidenti përbën një dështim të rëndë të sigurisë kombëtare, pasi ka ndodhur në një objekt me status të veçantë mbrojtjeje, ku çdo cenim prek drejtpërdrejt besueshmërinë e institucioneve. “Siguria është një mekanizëm shumë delikat. Kjo që ndodhi është ngjarje tejet e rëndë dhe tregon se elementët bazë të sigurisë janë cenuar. Zona e aeroportit duhej të ishte prioritet, por qeveria është e fokusuar tek propaganda,” tha ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.