Atentati në Rinas, pse policia nuk ndoqi makinën e autorëve?
Ish-prokurori Ervin Karanxha ka reaguar me tone të forta pas atentatit mafioz që tronditi Rinasin, ku në mes të ditës një breshëri automatiku i mori jetën 47-vjeçarit Gilmando Dani dhe la në gjendje kritike Mustafa Sheqerin, i njohur si Muçi Shaljani.
Në një intervistë për emisionin “Repolitix”, Karanxha tha se autorët e atentatit kanë vepruar me profesionalizëm dhe planifikim të ftohtë, duke përdorur një Toyota Yaris me targa greke për të shmangur çdo dyshim.
“Autorët kanë ikur me Toyota Yaris dhe duhet që policia t’i kishte ndjekur menjëherë. Ata kishin zgjedhur makina me targa greke, që të mos binin në sy, si të ishin emigrantë që sapo kanë ardhur nga Greqia,” u shpreh ish-prokurori.
Sipas tij, reagimi i policisë ishte i vonuar dhe i papërshtatshëm, duke u dhënë mundësi autorëve të zhduken pa lënë gjurmë.
“Imagjino që i ikën policisë në mes të ditës me atë makinë! Aty shpejtësia është e kufizuar, ka policë të shtrirë në rrugë, dhe megjithatë ata arritën ta realizonin atentatin pa asnjë pengesë,” theksoi Karanxha.
Ai kërkoi që të kontrollohen me kujdes të gjitha kamerat e sigurisë në zonë, pasi edhe një gabim i vogël i autorëve mund të çojë në identifikimin e tyre.
“Kjo është një vepër penale me paramendim, një ngjarje shumë e rëndë që tregon se struktura të armatosura lëvizin të lira. Policia duhet të reagojë me shpejtësi, jo pas orësh,” shtoi ish-prokurori.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë në rrethrrotullimin e Rinasit, kur automjeti i Danit dhe Sheqerit u qëllua me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar. Të dy sapo ishin kthyer nga Barcelona.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



