Atentati në Rinas, zbardhen lëvizjet e fundit të autoriteteve
Forcat e FNSH dhe hetuesit kanë zbarkuar sërish ditën e sotme në zonën e rreth-rrotullimit në Rinas, vendin ku ndodhi atentati mafioz që tronditi kryeqytetin. Në ngjarjen e ndodhur u vra Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, ndërsa u plagos rëndë Muçi Shaljani.
Pista kryesore e hetimeve mbetet hakmarrja mes grupeve kriminale, ndërsa autoritetet po ushtrojnë kontrolle të mëtejshme në disa zona të Tiranës, Kamzës, Niklit dhe Fushë-Krujës. Deri tani janë sekuestruar rreth 100 kamera sigurie në vendin e ngjarjes dhe janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit.
Policia e Tiranës ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunim nga autoritetet spanjolle për të zbuluar lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit gjatë qëndrimit të tyre 4-ditor në Barcelonë, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Ekspertiza paraprake nga morgu i Tiranës ka treguar se Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Muçi Shaljani vazhdon të jetë i intubuar në Spitalin e Traumës, pas plagëve të rënda që përfshijnë 10 plumba në trup, dy prej të cilëve në kokë.
Hetimet vazhdojnë intensivisht, ndërsa autoritetet shpresojnë të identifikojnë përgjegjësit e këtij atentati të dhunshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



