Autori rrëfen momentin e vrasjes së gjyqtarit: S’e kisha planifikuar!
Në një dëshmi të re, autori i dyshuar i ngjarjes që tronditi opinionin publik, Elvis Shkambi, ka rrëfyer motivet e aktit të rëndë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja.
Sipas deklaratës së tij para oficerëve të Seksionit për Krimet e Rënda, incidenti shpërtheu menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja, i cili, sipas Shkambit, nuk ishte në favor të familjes së tij. “Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen, por aty m’u mbush mendja për ta vrarë, kur dha vendim kundër nesh,” tha autori në dëshminë e tij.
Gjatë të njëjtit akt, Shkambi plagosi edhe dy persona — Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët, si raportohet, janë babë e bir dhe kishin konflikt me autorin. Pas përdorimit të armës, autori u dorëzua para oficerëve të policisë dhe më pas u arrestua.
Ngjarja, që u zhvillua brenda ambienteve të sallës së gjyqit, ka ngjallur shqetësim të thellë publik për sigurinë në institucionet gjyqësore dhe për mënyrën se si u krye puna e sigurisë gjatë seancës. Hetimet ndaj autorit dhe rrethanave të plotë të ngjarjes vazhdojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



