Avokatët kundërshtojnë njëzëri hartën e re gjyqësore: Nuk e zgjidh dot kolapsin në gjykata
Pas Dhomës së Avokatisë në Lezhë, edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore, e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë.
Kreu i avokatëve të Shqipërisë, Maks Haxhia, ka qenë i ashpër në qëndrimet e tij, duke deklaruar se harta e propozuar duhet të ndryshohet. Ai deklaroi se me hartën e propozuar cenohet aksesi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe këtë nuk e lejon Gjykata e Strasburgut. “Nuk pajtohem me mënyrën që të bëjmë një reformë të dytë që të zgjidhim problemet e kolapsit të reformës së parë, sepse problemet shtohen kaq shumë sa, nisur nga shumë argumente, e shoh të pasuksesshme edhe këtë reformë në lidhje me hartën gjyqësore. Pse? E para, ne e kemi një eksperiencë tashmë. Ajo që më vret nuk është marrë nga reforma në konsideratë praktika, e cila ka dështuar. Ne kishim një Gjykatë Apeli që ishte një dështim i plotë. Kemi një eksperiencë tjetër të hidhur që Gjykata Administrative e Apelit do të zgjidhë… nuk është e vërtetë. Ajo ka ende çështje të vitit 2015. Shqipëria nuk është vetëm Tirana, të cilën e kanë masakruar. Pse merrni eksperiencën e Moldavisë, merrni eksperiencën gjermane që edhe territoreve t’u japin jetë. Si mund të ikë nga Vlora Gjykata e Apelit kur ky qytet po merr dimensionet e një qyteti europian. Nuk e di mendimin e Ministrisë, pasi e para ishte kundër, kurse Manja tha se ne do të kemi një material tonin”, tha Haxhia.
“KLGJ NUK MENDOI PËR QYTETARIN”
Gjatë një tryeze në qytetin e Vlorës, kryetari i Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Ahmataj, tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte menduar vetëm për gjyqtarët dhe jo për qytetarët dhe avokatët. Ndërsa shprehu dakordësinë për shkrirjen e disa gjykatave tejet të vogla apo prokurorive me vetëm një prokuror, ai kërkoi që duhet të rishikohet skema sa u përket gjykatave administrative. Ahmataj theksoi se vetëm një Gjykatë Apeli në rang Republike nuk ofron dot shërbim për qytetarët.
“Mua më duket që grupi i punës, përveç faktit që ka bërë punë të mirë për mbylljen e disa gjykatave me dy-tre gjyqtarë, që nuk mund të ekzistojnë, apo prokurori me një prokuror, por kam përshtypjen që grupi i punës duhej ndalur më shumë te gjykatat administrative, se sa dhe ku do të funksiononin; po ashtu duhet rishikuar edhe pjesa e një Apeli të përgjithshëm në Tiranë, sepse në qoftë se nëpër media qytetarit mund t’i mbushet mendja që qenka aksesi i menjëhershëm në drejtësi që gjyqi i sarandjotit që ta zhvillojë gjyqin e Apelit në Tiranë, mua si jurist nuk më mbushet mendja. Kjo po e largon drejtësinë nga njerëzit, nuk po e afron.
Kjo çon drejt falimentimit 500 apo 600 avokatë që punojnë nëpër rrethe dhe paralelisht 600 familje që ushqehen nga puna e këtyre avokatëve dhe askush nuk interesohet. KLGJ ka interesin primar punën e vet. Me të drejtë thuhet se keni menduar për karrierën e gjyqtarëve dhe, nga ana tjetër, ju keni menduar për gjithçka, por për mendimin tim nuk keni menduar për qytetarin”, theksoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



