Avokati: Elvis Shkambi është penduar për vrasjen, ka kërkuar falje!
Avokati i Elvis Shkambit, Kujtim Ibraj, ka zbardhur detaje të reja nga dëshmia e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Sipas Ibrajt, mes Shkambit dhe gjyqtarit të ndjerë kishte pasur një debat gjatë seancës së mëparshme, para se të ndodhte tragjedia.
Avokati, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Shqipëria Live”, theksoi se gjithçka ndodhi në kushte tepër të vështira emocionale, për shkak të presioneve të shumta që Shkambi dhe familja e tij kishin përjetuar, përfshirë borxhet dhe vështirësitë ekonomike. Ai gjithashtu ka sqaruar akuzat ndaj Shkambit, duke përmendur se ai akuzohet për vrasje të funksionarëve të lartë dhe armëmbajtje pa leje.
“Elvis Shkambi ka sqaruar gjithë dinamikën e ngjarjes edhe në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë. Ai ka shpjeguar se që nga momenti kur ata kanë ardhur në Tiranë, kanë ndaluar në disa vende dhe kanë marrë pjesë në një rast vdekjeje, pastaj kanë dorëzuar një kërkesë në një gjykatë,” tha avokati.
Ibraj ka bërë të ditur se arma e përdorur nga Shkambi nuk ishte me leje dhe se ai nuk kishte dijeni për armën që kishte me vete. Shkambi ka qenë në një gjendje të rënduar psikologjike dhe gjithçka ka ndodhur “në sekonda”, sipas tij.
Përsa i përket debatit që ka ndodhur mes Shkambit dhe gjyqtarit Kalaja gjatë seancës së mëparshme, avokati ka shtuar se ka qenë një polemikë ku gjyqtari Kalaja ka tërhequr vëmendjen për qetësinë në sallë.
“Elvis Shkambi ka thënë se gjithçka ka qenë emocionale dhe ndodhi në kushte të tronditjes së lartë psikike për shkak të borxheve dhe vështirësive ekonomike që ata po përjetonin,” tha Ibraj.
Një nga detajet që avokati ka theksuar është se 31 fishekët që u gjetën në makinën e xhaxhait të Shkambit, Gjon Shkambit, nuk i përkisnin Elvis Shkambit.
“Fishekët ishin manovër dhe jo luftarakë,” tha Ibraj, duke hedhur poshtë mundësinë e përdorimit të armëve për qëllime kriminale.
Avokati ka pohuar gjithashtu se Elvis Shkambi ka shfaqur pendesë për ngjarjen dhe ka kërkuar falje nga familja e gjyqtarit Kalaja. Ai ka shtuar se, pavarësisht gjakrat ende të nxehta, ata kanë shprehur pendesën dhe janë munduar të krijojnë një atmosferë paqësore në marrëdhëniet ndërfamiljare.
“Elvis Shkambi është i penduar dhe i ka kërkuar falje familjes Kalaja. Ata janë përpjekur të krijojnë një ambient sa më të qetë dhe të kuptueshëm për të gjithë,” tha avokati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



