Avokati Hazizaj: Rama në pozita të dëshpëruara, s’ka fuqi të mbrojë as Veliajn, as veten
Avokati Sokol Hazizaj ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me situatën politike pas veprimit të fundit të SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij, kryeministri Edi Rama është në një gjendje dëshpërimi dhe nuk ka më fuqi të mbrojë as Veliajn, as veten.
I ftuar në një emision televiziv, Hazizaj e lidhi nervozizmin e Ramës në fjalimin e tij të fundit para punonjësve të bashkisë me veprimet e SPAK. Ai tha se fakti që Rama e ka pranuar publikisht se SPAK është një krijesë e tij dhe e Partisë Socialiste, e bën edhe më të rëndë përballjen e tij me këtë institucion.
“Rama është në pozita të dëshpëruara për shkak të veprimit së fundmi që mori SPAK ndaj Veliajt. Nuk ka rëndësi nëse ka të drejtë apo jo, por ajo që e çon në dëshpërim është fakti se SPAK po vepron ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Më i rëndësishmi në këtë moment është kryebashkiaku Veliaj. Arrestimi i tij është çështje hetimi, por nervozizmi i Ramës tregon se ai nuk ka më fuqinë që kishte dikur”, u shpreh Hazizaj.
Sipas tij, qeveria nuk e kishte kuptuar në vitin 2016 se miratimi i SPAK do të ishte një boomerang për mazhorancën. “Tani është shumë vonë për ta ndryshuar këtë realitet. SPAK po vepron dhe askush nuk është mbi ligjin”, theksoi ai.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për mazhorancën, duke ngritur pikëpyetje mbi stabilitetin e saj dhe aftësinë e Ramës për të menaxhuar goditjet e fundit nga drejtësia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



