E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Babi është ëngjëll dhe do ju ruajë të gjithëve” Urimi i vajzës jetime përlot të gjithë shqiptarët
Lajme

“Babi është ëngjëll dhe do ju ruajë të gjithëve” Urimi i vajzës jetime përlot të gjithë shqiptarët

Jetuan mes dhimbjesh, babain ia mori tumori në kokë, kurse sytë e nënës së tyre shurdh- memece po i pushtonte terri i errësirës.

Një histori me të vërtetë e dhimbshme ajo e familjes Çoniku, derisa shqiptarët i kthyen sytë dhe zemrën e tyre tek 4 fëmijë jetimë.

Të parët që flasin për një dhimbje të pashoqe, janë fqinjët e familjes shqiptare. Kjo grua në moshë tregon se askush nuk i ka ndihmuar ata 4 fëmijë jetimë dhe nënën e tyre.

Fqinjët: Punë nuk kanë. Ajo grua është e vuajtur… desh u dogjën brenda në shtëpi këta fëmijë. Sesi rrinë unë nuk e di. Nuk kanë asgjë ata fëmijë.

Familja nga një fshat i Pogradecit jetonte në një shtëpizë të sajuar, pranë një kabine elektrike që për pak sa nuk i ka marrë jetën. Vajza e madhe, Ina, tregon vetë natën kur shkëndijat elektrike ndezën zjarrin në kabinën që qëndron centimetra larg.

Ina:Ishim në gjumë që të gjithë. Mami me babin ishin nga dhoma. Më doli gjumi natën dhe dëgjova që po bëhej zhurmë jashtë dhe po bënte shkëndijë. Kur pashë që po dilnin komshinjtë e po  thërrisnin, e kuptova që ishte djegur kabina. Zgjova mamin dhe babin dhe ashtu të tmerruar dolën të gjithë jashtë me vrap. Kjo nuk është pronë e jona, ka qenë dikur një lavanderi dhe me letra nuk është e jona… mund të na nxjerrin dhe jashtë.

Babi më thoshte se do ikim që këtu dhe se ai do të punonte, por nuk punonte dot. Ai nuk mendonte për veten, por për ne, që të kishim një ardhme.

Por çfarë bënë shqiptarët për një rast kaq të dhimbshëm si ai i këtyre 4 fëmijëve jetimë?

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” shkoi të vizitojë familjen Çoniku në Pogradec. Me të hyrë në shtëpi, Elvis Naçi i ka kërkuar falje të sinqertë kësaj familje të vuajtur, për faktin se nuk e kishin mësuar më parë tragjedinë që i kishte kapluar. Një vit më parë, babai i këtyre fëmijëve humbi jetën, sepse ata nuk kishin para për ta kuruar.

Elvis Naçi: Rasti juaj është specifik, qoftë në lidhje me babain e qoftë në lidhje me nënën, që sot është për ju dtfish drita e syve. Për të mos folur për shtëpinë dhe rrezikun e kabinës elektrike. Edhe për ngjarjen që ka ndodhur me babin tuaj, ndjehemi fajtor sepse nuk e kemi ditur si rast, sepse kurrë nuk do ta linim…

Bashkëshortja e Elvisit, Fatma Naçi ishte e pranishme jo vetëm fizikisht, por dhe përmes lotëve të saj. Pa nga afër një dhimbje të paimagjinueshme që ka prekur mbarë opinionin publik dhe s’mundi t’i mbajë lotët. Por ato fjalë që dolën, iu adresuan Inës, e cila pasi s’mundi ta shpëtojë të atin, lutet çdo ditë që të mund të shpëtojë të paktën sytë e nënës së saj.

Fatma Naçi: Ina, vajza më e madhe, është një heroinë, ajo kujdeset si një nënë për të gjithë familjen.

Ina: Kur babi ishte sëmurë, unë kujdesesha për të, kur ai iku, kujdesëm për mamin për fëmijët.

Fatma Naçi: Tani do bëheni të forta ta çani vetë jetën, ju jeni të mrekullueshëm, je shembull për gjithë adoleshentët. Unë jam shumë krenare që përfaqësoj gjithë shqiptarët që kanë dashur të të ndihmojmë ty.

Ina: Ju falënderoj që po mundohemi.

Fatma Naçi: Ne të falenderojmë ty për shembullin që jep. Jam e bindur që nesër do jesh një nënë e mrekullueshme.

Sidrit Bejleri: Kemi zgjuar ndërgjegjen e shqiptarëve, shumë na shkruaj për hallet e të tjerëve. Ne nuk kemi shumë në dorë, por të paktën nuk do ta kishit vuajtur të vetme vdekjen e babait, do ju kishim ndihmuar…. por sërish “më mirë vonë se kurrë.

Elvis Naçi i jep një lajm të gëzueshëm kësaj familje. Një shqiptar i cili jeton në SHBA, pasi ka parë rastin e familjes Çoniku, ka vendosur që të heqë nga gjiri i shtëpisë së tij një shumë parash për një vit rrjesht. Më në fund familja Çoniku do të mund të shohë më shumë sesa 150 mijë lekët që shteti u jep si asitencë, një asistencë e cila vështirë të quhet njerëzore.

Elvis Naçi: Më ka telefonuar një shqiptar nga Amerika dhe ka vendosur që për një vit, familja juaj do të ketë një shumë prej 500 dollarë çdo muaj. I ka dëgjuar me vëmendje fjalët e tua kur ke thënë se në muaj keni vetëm 150 mijë lekë të vjetra. Ju do të hapni një numër llogarie dhe ai do ju kalojë çdo muaj paratë.

Por mirësia e një shqiptari si zotëria që vendosi të dhurojë paratë, nuk është mirësia e të gjithë shqiptarëve. Elvis Naçi i ka thënë fëmijëve të bëhen gati për të shkuar drejt Tiranës për të vizituar nënën e tyre. Sytë e saj janë një pasuri e paçmueshme për këta jetimë, të cilët kanë zgjedhur të braktisin gjithçka, vetëm që nëna e tyre të shërohet.

Elvis Naçi: Cështjen e mamit siç e keni dhe ju, edhe neve na është bërë amanet. Ju do të bëheni gati të largohemi dhe duhen marrë masat që mund të qëndroni në Tiranë. Të shkojmë, të mos humbim më asnjë sekondë kohë dhe ti bëjmë mamit të gjitha analizat dhe pastaj të nxjerrim një konkluzion… shpresojmë që të ndërhyjmë dhe të jemi akoma në kokë për shikimin.

Por përpara rrugës për në Tiranë, fëmijët i tregojnë Elvisit, Sidrit Bejlerit dhe Fatmës kabinën elektrike. Një rrezik i frikshëm që qëndron mbi kokat e 4 fëmijëve të pafajshëm.

Elvisi: E tmerrshme, pesë jetë njëerëzore mund të ishin shuar nga ky rrezik. Ti aty e kupton që ke bërë gjënë më të mirë në botë, që t’i zgjidhësh hallin kësaj familje.

Fatma: Fëmijët që në momentin që Elvisi i pyeti për shëndetin e nënës, ata pa hezituar kërkuan vetëm shëndetin e nënës dhe jo një banesë të re. Ata pa hezitim zgjodhën që të mos kishin një të ardhme, por shëndetin e nënës së tyre.

VIZITA PËR DRITËN E SYVE TË NJË NËNE

Në vizitën e kryer në Tiranë, Ina shoqëronte të ëmën për të parë nëse shikimi i saj do të mund të përmirësohej. Pas vizitës së bërë nga doktori, lajmet nuk janë ato që prisnin të gjithë shqiptarët.

Doktori: Shpresë ka por nëna vuan nga një sëmundje degjenerative e përcaktuar gjenetikisht e receptorëve të retinës, ajo që është përgjegjëse për përthithjen e dritës që na bëjnë të shikojmë. Për momentin me gjithë përpjekjjet në mbarë botën po mundohen që të gjejnë një kurë për këtë lloj sëmundje. Për momentin nuk ka, por studimet e fundit thonë që jemi afër.. ne shpresojmë dhe patjetër që do të mundohemi të fillojmë një vitanimë, por për momentin nuk kemi një kurë. Por ne do ju vizitojmë dhe në momentin që ka një kurë për këtë sëmundje ne do të vijmë për ta vizituar nënën.

Për të mos lënë fëmijët në spital, në pritje të analizave dhe check-up të nënës së tyre, “shqiptarët për shqiptarët” vendos t’i shëtisë ata në Tiranë. Vetëm Ina ka ardhur dy herë në kryeqytet për të ndjekur dhe shoqëruar të atin në spital, kurrë për diçka të mirë. Sytë e këtyre fëmijëve tregojnë një habi që shumëkujt mund t’i duket e çuditshme… por këta vogëlushë rrallë kanë parë gëzim në jetën e tyre.

BABAI IM ËSHTË NJË ËNGJËLL DHE DO JU MBROJË JU TË GJITHËVE…. JAM E SIGURT

Në përfundim të vizitave të nënës së fëmijëve, familja i drejtohet Pogradecit. Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” e çon familjen Çoniku në një shtëpi në katin e pestë. Fëmijët dhe nëna e tyre ende nuk e dinë se ku po hyjnë dhe se shqiptarët nuk i kanë braktisur.

Fatma: Ishte një emocion i paërshkrueshëm… nuk po gjeja fjalët sesi të filloja t’ja thoja në mënyrë që të ishte një surprizë e bukur për ta.

Lajmin e madh se shtëpia ku do të qëndrojnë sot… në fakt është e tyrja falë të gjithë shqiptarëve që ndihmuan. Fatma Naçi e ka të vështirë t’u japë lajmin, por një mënyrë e gjen për tja thënë se nga sot e tutje, mund të jetojnë si të gjithë… në një shtëpi ku nuk duhet të ruhen për vdekjen që vjen nga një kabinë elektrike, apo për të ftohtin që depërton në çdo cep.

Fatma: Ju jeni fëmijë aq të mirë. Ju duam shumë. Kemi kaluar një kohë shumë të bukur dhe tani jemi shokë. Ju e dini që tek emisioni ne nuk lëmë askënd të dalë duar bosh… shqiptarët nuk i lënë. Ju zgjodhët mes shtëpisë e shërimit të mamit nënë tuaj, por ju mendonit se shqiptarët do ju linin me vetëm kaq?

Ina, përkushtimin që ti ke treguar për familjen… shqiptarët kanë bërë një dhuratë për ju sot… asgjë nuk ngel pa shpërblim dhe Zoti shpërblen ata njerëz që bëjnë mirë…si thua ti Rei, a fitojnë të mirët tek përrallat?

Rei: Po…

Fatma: Atëherë kjo shtëpi ku jeni sot…. është e juaja

Vajzat dhe Rei i vogël u mallëngjyen, por nëna e tyre shurdh- memece ende nuk e kishte kuptuar. Ina çohet në këmbë dhe i tregon me shenja se çfarë lajmi kanë marrë… kurrë nuk e kishim dëgjuar të bënte një zë këtë grua, e cila pas këtij lajmi lëshoi zë.

Shqiptarët për shqiptarët largohet nga banesa e familjes Çoniku dhe e pret Inën në Tiranë. Vetëm 16 vjeçe, por kësaj vajza i është dashur të përballojë thuajse të gjitha punët e shtëpisë, kujdesin ndaj babait e nënës dhe mësimet në shkollë. Ina ka një ëndërr, të jetë infermiere dhe të ndihmojë të tjerët, ashtu siç e ndihmuan atë… por fjalët që thotë në emisionin “shqiptarët për shqiptarët”, prekën thellësisht mbarë publikun.

Ola Bruko: U krye amaneti i babait apo jo?

Ina: Po falë gjithë shqiptarëve amaneti i tij shkoi në fund…

Ola Bruko: Kjo falë teje ina sepse je një vajzë e mrekullueshme.

Ina: Ndjehem e emocionuar dhe shumë e lumtur. E dija se vetë nuk do ja dilja dot, por falë jush dhe gjithë shqiptarëve arrita që ta çoj në fund amanetin dhe e di që ai na shikon sot dhe është i lumtur.

Ola: Jam shumë e lumtur ashtu si shqiptarët për ty. Je një vajzë shembullore

Elvis Naçi: Padyshim që jeni të lumtur, por nuk e di a jeni ju apo ne më shumë të lumtur…Të them sinqerisht që nuk mundet dot shqiptarët tonë, që ne të jetojmë afër njëri tjetrit dhe kjo punë të vijojë kështu. Ju jeni të pafajshëm dhe sëmundja vjen nga mosdëshira e njeriut. Ja keni dalë por jo shumë keni parë përkrahje nga shoqëria. Sporvat kishin rënë në familjen tuaj… kur të shkojë koha për shkollën e lartë të mos e harrosh numrin tonë të telefonit

Ina: Nuk e prisja të them të drejtën e sidomos kaq shpejt. Mund ta prisja të ndodhte më vonë, por atë ditë nuk e prisja. Mami u gëzua jashtë mase shumë dhe nuk po më besonte, ja shpjegova tre herë.

Elvis Naçi: Ai vëllai nga Amerika, Astrit Kërkuti quhet… më tha sduhet të ma përmendësh emrin por i thash që po gëzon një familje shqiptare. I thash se emrin do ja them sepse dua që sa më shumë shqiptarë të ndjekin këtë shembull të mrekullueshëm. Ato para, 500 dollarë, do të jenë çdo muaj për ju. Për nënën ka shpresë dhe ne do jemi këtu.

Kur të jesh në atë ballkon, të lutem lutu për ne që të ndihmojmë ata shqiptarë të tjerë në nevojë.

Ina: Me të gjitha mundësitë që na krijuan, unë do të mundohem të studioj akoma më shumë që të mund të ndihmoj njerëzit. Ato lotë gëzimi që derdhëm në shtëpinë e re, dhe të gjitha ata shqiptarë që na ndihmuan do t’u kthehet në mirësi ndihma e tyre… Babi tani është një ëngjëll dhe jam e sigurt që ai do ju ruajë të gjithëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.