Balliu: 47.6 mln euro ka shpenzuar Bashkia e Tiranës për rezidencat studentore, rezultati është skandaloz

Shefi i organizmit në PD, Klevis Balliu ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp ku denoncon punimet që Bashkia e Tiranës ka kryer në rezidencat studentore.

Balliu është shprehur se janë shpenzuar rreth 48 milionë euro dhe puna është skandaloze, e për këtë arsye më 8 maj 2023 studentë dhe aktivistë dorëzuan një kallëzim për shpërdorim detyre dhe abuzimin me fondet në lidhje me konviktet e Qytetit Studenti.

DEKLARATA E KORDINATORIT RAJONAL TË TIRANËS, KLEVIS BALLIU:

47.6 milionë euro ka shpenzuar bashkia Tiranë për rezidencat studentore universitare, po rezultati cili është?

Më 8 maj 2023 studentë dhe aktivistë dorëzuan një kallëzim për shpërdorim detyre dhe abuzimin me fondet në lidhje me konviktet e Qytetit Studenti.

Studentët denoncojnë se prej vitesh në qytetin Studenti janë hedhur miliarda lekë nga institucioni i Rezidencës Studentore Universitare nr. 1 që varet drejtpërdrejtë nga Bashkia e Tiranës dhe ku administrator është znj.Anila Shehu.

Fondet në mbi 70% të rasteve janë shpenzuar për rikonstruksionin e godinave, por kjo shumë nuk e justifikon cilësinë tepër të dobët të punimeve në godina.

Sipas denoncuesve sistemi i izolimit të godinave 11-12 është bërë me polisterol dhe kohët e fundit vërehet se është duke rënë në pjesë të ndryshme të godinave. Gjithashtu vërehet re se në godinat 9-10 suvaja nga jashtë godinës është duke rënë në pjesë të ndryshme duke provuar se cilësia e punimeve nuk justifikon shumën e investuar në godinave 9-10.

Nga gjetjet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në dhjetor të 2019 ‘Raporti i përputhshmërisë ekonomiko-financiare në Rezidencën Studentore Universitare nr.1’ rezulton se punimet janë kryer pa mbikëqyrës të punimeve, bashkimi i operatorëve nuk ka pasur punëtorë të kualifikuar dhe janë paraqitur të dhëna të rreme me qëllim kualifikimi.

Dy ditë pas kallëzimit të studentëve, në 10 maj 2023, SPAK shpalli moskompetencë  dhe ja kaloi çështjen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kjo e fundit ka nisur procedim penal ndaj administratores së konvikteve Anila Shehu, për shpërdorim detyre.

Prokurori i çështjes është Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj, i cili sipas studentëve ka lidhje të forta me Partinë Socialiste.

Edhe pse Kodi i Procedurave Penale në nenet 323 dhe 324 ka të përcaktuar qartë afatin e hetimeve dhe zgjatjes së tyre, akoma nuk ka asnjë përfundim për kallëzimin penal të dorëzuar nga studentët për  shpërdorimin e detyrës së administratores së Rezidencës Studentore Universitare nr.1,  znj.Anila SHehu dhe abuzimin me fondet në lidhje me Konviktet e Qytetit Studenti

Partia Demokratike në mbështetje të studentëve i bën thirrje organit të akuzës të vijojë punën menjëherë.

Iu bëjmë me dije studentëve se ne jemi në krah të tyre. Ky abuzim i radhës është në vazhdën e vjedhjeve të drejtorëve të Bashkise dhe u bëjmë thirrje studentëve të na bashkohen nesër në ora 16.30 në protestën e përjavshme për rrëzimin e kryetarit hajdut të drejtorëve hajdutë të Bashkisë së Tiranës.

Publikuar nga Publik Media