E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Balluku dhe ironia politike në  kohë përmbytjesh
Flash

Balluku dhe ironia politike në kohë përmbytjesh

Balluku në terren paralajmëron “erëra të fuqishme”, ndërsa Kuvendi pritet t’i hapë rrugë kërkesës së SPAK për arrestim

Teksa Shqipëria përballet me përmbytje të rënda në disa qarqe të vendit, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka dalë sot në terren, në Novoselë, një nga zonat më të prekura nga reshjet intensive.

Në një deklaratë për mediat, Balluku paralajmëroi se në 24 orët e ardhshme priten përkeqësime të kushteve atmosferike, me erëra të forta që në Ultësirën Perëndimore mund të arrijnë deri në 25 metra për sekondë.

“Duhet të keni parasysh që në 24 orët e ardhshme presim erëra të fuqishme. Në zonën e Ultësirës Perëndimore do të shkojë deri në 25 metër për sekondë”, u shpreh ajo.

Balluku theksoi se prefekturat e Vlorës dhe Fierit, së bashku me bashkitë përkatëse, janë angazhuar për ngritjen e qendrave të akomodimit dhe evakuimit për qytetarët e prekur, duke nënvizuar se prioritet mbetet mbrojtja e jetës.

“E kemi parë edhe gjatë tërmetit që banorët shpesh nuk duan të largohen nga pronat e tyre, por në këto momente jeta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”, deklaroi ajo.

Zëvendëskryeministrja bëri të ditur gjithashtu se Kryeministri, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, është duke përgatitur një paketë dëmshpërblimi për qytetarët e prekur, si për dëmet në bujqësi ashtu edhe për banesat.

Ndërkohë, ajo njoftoi se të premten në mëngjes do të mblidhet Komiteti Ndërqeveritar i Emergjencave, ku në fokus do të jetë situata e përmbytjeve dhe masat parandaluese për të shmangur agravimin e mëtejshëm të saj.

Ironia politike e ditës qëndron në faktin se këto deklarata vijnë në një moment kur Balluku është e pandehur nga SPAK dhe GJKKO, ndërsa në Kuvend pritet që t’i hapet rrugë kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.

Në një ditë kur vendi përballet me ujë, baltë dhe emergjenca reale në terren, paralajmërimi për “erëra të fuqishme” tingëllon për shumëkënd si një metaforë e pavullnetshme e stuhisë politike që pritet të shpërthejë në Parlament.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.