E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banka Botërore kërkon kthesë në financimin e shëndetësisë
Lajme

Banka Botërore kërkon kthesë në financimin e shëndetësisë

Banka Botërore ka hedhur në tryezë një paketë të re rekomandimesh për transformimin e financimit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, duke kërkuar një ndryshim rrënjësor nga modeli aktual drejt një sistemi që shpërblen rezultatet dhe cilësinë.

Në fokus të reformës është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili propozohet të largohet nga roli tradicional i administratorit të buxheteve dhe të shndërrohet në një aktor aktiv që blen shërbime mbi bazën e performancës së ofruesve.

Raporti e konsideron këtë transformim si një ndër levat kryesore për rritjen e efikasitetit të sistemit dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor për qytetarët.

Sistemi aktual, pak lidhje me rezultatet

Sipas analizës, Fondi mbulon rreth 67% të shpenzimeve publike në shëndetësi, por funksionon kryesisht si një menaxher fondesh, pa ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë apo rezultatet e shërbimeve.

Spitalet publike financohen ende mbi bazën e buxheteve historike dhe sipas zërave të shpenzimeve, ndërsa mekanizmat si kontraktimi selektiv apo pagesat e lidhura me performancën janë të kufizuara. Si pasojë, financimi ka pak lidhje me aktivitetin real apo rezultatet konkrete të arritura.

Mungesë stimujsh dhe efikasiteti

Raporti thekson se modeli aktual nuk krijon stimuj për rritjen e produktivitetit apo për optimizimin e shërbimeve. Po ashtu, ai nuk inkurajon zhvendosjen drejt trajtimeve më pak të kushtueshme dhe më efikase.

Problemi kryesor, sipas ekspertëve, nuk qëndron te mungesa e fondeve apo fragmentimi i tyre, por te kapacitetet e kufizuara për të zbatuar një qasje moderne të “blerjes strategjike” të shërbimeve shëndetësore.

Si propozohet të ndryshojë modeli

Dokumenti rekomandon një qasje graduale, ku Fondi të nisë zbatimin e pagesave të bazuara në rezultate në të gjitha nivelet e sistemit:

  • Kujdesi parësor: pagesa me kapitacion, e përshtatur sipas moshës dhe rrezikut të pacientëve, e kombinuar me fonde të dedikuara për diagnostikë dhe tregues performance.
  • Shërbimet ambulatore të specializuara: kontraktim strategjik i ofruesve publikë dhe harmonizim i pagesave me modelin e përdorur për PPP-të dhe sektorin privat, duke vendosur kufij buxhetorë për të shmangur abuzimet.
  • Spitalet: kalim nga financimi sipas zërave të shpenzimeve drejt pagesave sipas rasteve apo paketave të shërbimeve, në përputhje me Planin Kombëtar të Spitaleve 2023–2030.

Autonomi më e madhe dhe më shumë përgjegjësi

Sipas Banka Botërore, kombinimi i një sistemi më fleksibël financimi me rritjen e autonomisë menaxheriale dhe financiare të spitaleve do t’u japë institucioneve më shumë hapësirë për të planifikuar burimet njerëzore dhe për të përdorur stimuj të lidhur drejtpërdrejt me performancën.

Në thelb, reforma synon ta kthejë Fondin nga një institucion pasiv që shpërndan buxhete, në një blerës aktiv që orienton sistemin drejt cilësisë, efikasitetit dhe rezultateve konkrete në shërbim të pacientit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.