E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protesta “çorodit” Ramën, sulmon protestuesit dhe eurodeputetët
Lajme

Protesta “çorodit” Ramën, sulmon protestuesit dhe eurodeputetët

Kryeministri pranon dështimin në shëndetësi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave dhe kërkesave për dorëheqje, duke theksuar se çdo nismë ligjore, përfshirë ndryshimet për zonat e mbrojtura, realizohet në përputhje me standardet dhe miratimin e Bashkimit Europian.

Duke u ndalur te protestat, Rama deklaroi se në to marrin pjesë individë me agjenda politike, duke përfshirë edhe eurodeputetë që, sipas tij, nuk e kanë lexuar ligjin.

“Në protestë individë me agjenda politike, përfshi dhe disa eurodeputet, që s’e kanë lexuar fare ligjin. Ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën e BE. Fatmirësisht nuk është fjala ime kundër fjalës së atyre që mendojnë ndryshe. Do të skanohen një për një të gjitha nenet e atyre ndryshimeve. Ky konflikt i stisur do të zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave. S’kalon asgjë pa miratimin e Komisionit Europian”, u shpreh Rama.

Në vijim, kryeministri bëri një reflektim mbi ndryshimin e pritshmërive të qytetarëve, duke theksuar se shqiptarët nuk kënaqen më me investime bazike si ndërtimi i shkollave apo hapja e hapësirave publike.

“Epoka e mbyllur është ajo e mungesave, kur një shkollë apo lulishte e re pritej me duartrokitje. Në epokën e mungesave shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë, e i gëzohen çdo ndryshimi, toleranca ndaj gjërave që mungojnë është më e madhe. Deviza e kësaj epoke është ‘Ka edhe më keq’.

Epoka e hapur është ajo e pritshmërive kur arritjet janë standard jo fitore. Deviza e kësaj epoke është ‘Ka edhe më mirë’”, deklaroi ai.

Rama u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke theksuar se për dekada nuk ishte hetuar asnjë zyrtar i lartë, ndërsa sot, sipas tij, realiteti ka ndryshuar.

“Për 100 e kusur vjet nuk ishte gjykuar apo hetuar një zyrtar i vetëm i lartë. Korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Kur njerëzit e mbështesnin me të dy duart reformën në drejtësi, nuk besonin se do të shihnin një zyrtar të lartë në qeli”, tha ai.

Në një tjetër moment, kryeministri pranoi problematikat në sistemin shëndetësor, duke sjellë shembullin e një qytetareje të moshuar që detyrohej të priste me orë të tëra për një shërbim mjekësor.

“Një gjyshe 80 e ca vjeçare doli në protestë sepse sa herë duhet të shkonte në poliklinikë për një vizitë ngrihej pa zbardhur dita të zinte radhën, sepse mjeku shkonte në punë vonë dhe rrinte vetëm 2-3 orë. Duhet të ndryshojmë që halli i saj të qahet dhe përvoja e saj të ndryshojë dhe të kuptojë që shteti nuk mbaron në terbiatin e mbrapshtë të një mjeku”, u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment të tensionuar politik, ku protestat dhe reagimet publike kanë shtuar presionin ndaj qeverisë, ndërsa ai thekson se proceset ligjore dhe reformat do të vijojnë në përputhje me standardet europiane.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.