E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Qeveria kalon nga paracaktimi i tenderëve te kontrolli i gjithë tregut
Lajme

Denoncimi: Qeveria kalon nga paracaktimi i tenderëve te kontrolli i gjithë tregut

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit që parashikon krijimin e një kompanie shtetërore për menaxhimin e furnizimit me barna, duke paralajmëruar se kjo nismë mund të çojë në përqendrim të rrezikshëm të pushtetit në tregun farmaceutik.

Në një reagim publik, Tabaku argumenton se struktura e propozuar nuk do të kufizohet vetëm në organizimin e tenderëve, por do të marrë kompetenca të gjera që përfshijnë të gjithë zinxhirin e furnizimit: nga planifikimi i nevojave, blerja dhe magazinimi, deri te transporti dhe shpërndarja e barnave.

Sipas saj, kompania do të administrojë gjithashtu rezervat strategjike, platformat kombëtare dhe do të ketë rol kyç në hartimin e specifikimeve teknike, menaxhimin e katalogut kombëtar të furnizimeve shëndetësore dhe negociimin e marrëveshjeve për hyrjen e barnave në sistem.

Tabaku thekson se, edhe pse projektligji nuk e cilëson formalisht këtë strukturë si monopol, në praktikë ajo do të kontrollojë çdo hallkë të tregut publik të barnave. “Kur një subjekt vendos njëkohësisht për nevojën, katalogun, specifikimet, blerjen dhe shpërndarjen, ai bëhet porta hyrëse për gjithë tregun”, shprehet ajo.

Në këtë skemë, sipas deputetes, furnitorët nuk do të kenë më të bëjnë vetëm me fitimin e një tenderi, por do të duhet fillimisht të përfshihen në katalog, të përmbushin kriteret e vendosura nga kompania dhe të operojnë përmes strukturave të saj. “Kompania do të jetë njëkohësisht lojtar dhe portier i tregut”, paralajmëron Tabaku.

Ajo e lidh këtë nismë me një prirje më të gjerë të qeverisë për të rritur kontrollin mbi tregjet, duke kaluar nga manipulimi i tenderëve te filtrimi i aktorëve që lejohen të operojnë në sistem.

Në analizën e saj, Tabaku sjell në vëmendje edhe problematikat ekzistuese në sistemin shëndetësor, duke përmendur mungesën e barnave, vonesat në trajtime dhe kostot që rëndojnë mbi qytetarët. Sipas saj, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar shkelje serioze, si kalimi i barnave nga spitalet në tregun e hapur dhe rimbursimi i tyre me çmime të plota.

Deputetja kritikon faktin se projektligji nuk parashikon mekanizma të fortë kontrolli publik, si auditimi i detyrueshëm nga KLSH, raportimi në Kuvend apo transparencë të plotë mbi kontratat, çmimet dhe partnerët privatë.

Po ashtu, mbeten të paqarta elementë kyç si mënyra e përcaktimit të tarifave, modeli i shitjes së barnave dhe marzhet financiare që mund të krijohen në këtë proces.

Një tjetër shqetësim i ngritur është përfshirja në bordin e kompanisë e institucioneve që njëkohësisht kanë rol rregullator dhe financiar, çka sipas Tabakut krijon konflikt interesi dhe dobëson kontrollin.

Ajo vë në pikëpyetje edhe nevojën për krijimin e një strukture të re, kur në vend ekziston tashmë Operatori i Blerjeve të Përqendruara, që realizon procedura për barna dhe materiale mjekësore.

Sipas saj, ndryshimi kryesor që sjell kompania e re nuk është përmirësimi i sistemit, por zhvendosja e vendimmarrjes nga procedurat transparente të prokurimit publik drejt vendimeve të brendshme të një shoqërie tregtare.

Tabaku paralajmëron se kjo mund të çojë në një centralizim edhe më të madh të pushtetit dhe në krijimin e skemave ku shteti mban riskun financiar, ndërsa fitimet përqendrohen te operatorë të përzgjedhur privatë.

Në përfundim, ajo thekson se sistemi shëndetësor nuk ka nevojë për struktura më të mëdha, por për rritje të transparencës, kontroll real dhe garantim që barnat të arrijnë tek pacientët në kohë dhe me kosto të përballueshme.

Postimi i plotë i Tabakut: 

Nga tenderi i paracaktuar te tregu i paracaktuar i barnave

Prej 13 vitesh shqiptarëve u premtohet shëndetësi falas dhe më shumë investime. Por përballja reale e qytetarit me sistemin shëndetësor jep një bilanc tjetër: barna që mungojnë, trajtime që shtyhen dhe familje që paguajnë nga xhepi atë që duhet t’ua garantonte shteti.

Spitalet tona janë kthyer shpesh në vende ku pacienti nuk përballet vetëm me sëmundjen, por edhe me sorollatjen, mungesën e barit dhe pagesën private. Për pacientët me sëmundje të rënda, kjo nuk është statistikë. Është ndërprerje trajtimi, humbje kohe dhe cenim i dinjitetit njerëzor.

Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për FSDKSH-në e bëjnë situatën edhe më të rëndë.

Gjatë vitit 2024, 159,760 njësi barnash të destinuara për përdorim në spitalet publike kaluan në rrjetin e hapur. Barna të marra nga farmacitë me faturë hyrëse zero u rimbursuan me çmim të plotë, duke përfshirë marzhin 24% për pakicën dhe 8% për shumicën. Në sistemin e-Depo çmimet mund të ndryshoheshin manualisht. Mbi 246 mijë njësi barnash u faturuan me skadencë në ditën e shitjes ose brenda 1–5 ditësh.

Pra, problemi nuk është se mungojnë rregullat, kontratat apo sistemet elektronike. Problemi është se kontrolli nuk ushtrohet dhe sanksionet nuk zbatohen.

Pikërisht në këtë situatë, në vend që të rregullojë kontrollin, qeveria propozon krijimin e një kompanie të re shtetërore për barnat dhe gjithë zinxhirin e furnizimit.

Kjo kompani nuk do të merret vetëm me organizimin e tenderëve. Sipas projektligjit, ajo mund të planifikojë nevojat, të blejë, magazinojë, transportojë dhe shpërndajë barnat; të administrojë rezervën strategjike dhe platformën kombëtare; të përcaktojë specifikimet teknike dhe të kontrollojë Katalogun Kombëtar të Furnizimeve Shëndetësore; të negociojë marrëveshjet e hyrjes së barnave në sistem; si dhe të krijojë filiale, konsorciume dhe sipërmarrje të përbashkëta me subjekte private.

Projektligji nuk e quan formalisht monopol. Por kur një kompani kontrollon njëkohësisht nevojën, katalogun, specifikimin, blerjen, magazinimin dhe shpërndarjen, ajo kontrollon portën e hyrjes në të gjithë tregun publik të barnave.

Një furnitor nuk do të ketë më nevojë vetëm të fitojë një tender. Do të duhet fillimisht të pranohet në katalog, t’u përshtatet specifikimeve të vendosura nga kompania dhe të kalojë përmes kanalit që ajo administron.

Kompania do të jetë njëkohësisht lojtar dhe portier i tregut.

Gjithsesi më shqetësuese është mungesa e mekanizmave të kontrollit publik. Projektligji parashikon vetëm auditimin e zakonshëm të pasqyrave financiare. Ai nuk vendos shprehimisht auditim të detyrueshëm nga KLSH-ja, auditim performance dhe prokurimi, raportim në Kuvend apo publikim të detyrueshëm të kontratave, çmimeve, tarifave dhe pronarëve përfitues të partnerëve privatë.

Nuk përcaktohet formula e tarifës që do të paguajnë institucionet shëndetësore. Nuk thuhet nëse kompania do t’i blejë barnat dhe më pas do t’ua rishesë spitaleve. Nuk përcaktohet nëse do të ketë marzh ndërmjet çmimit të blerjes dhe çmimit që do të paguajë spitali.

Paguesi, FSDKSH-ja, parashikohet të jetë në bordin e kompanisë që duhet të paguajë. Edhe AKBPM-ja, institucioni që duhet ta licencojë dhe kontrollojë operatorin e barnave, parashikohet të jetë në bordin e tij.

Pse duhet kjo kompani, kur Shqipëria ka tashmë Operatorin e Blerjeve të Përqendruara, i cili kryen procedura edhe për barna dhe materiale mjekësore?  Çfarë ndryshon realisht me kompaninë e re? Ndryshon gjurma që lë abuzimi.

Sot një procedurë prokurimi duhet të shpallet. Publikohen dokumentet, kriteret, ofertat dhe fituesi. Një operator mund të ankohet dhe një auditues mund të rindërtojë procedurën, edhe kur konkurrenca është vetëm formale.

Analiza e procedurave me të dhëna të plota tregon se pothuajse një në pesë kishte vetëm një ofertues dhe rreth 64% kishin vetëm 1–3 ofertues. Kjo do të thotë se procedura mund të quhet “e hapur”, ndërsa konkurrenca reale të jetë shumë e kufizuar.

Me kompaninë e re, një pjesë e vendimmarrjes rrezikon të zhvendoset nga procedura publike te vendimet e brendshme të një shoqërie tregtare: katalogu, marrëveshjet e hyrjes, tarifat, filialet, ortakëritë, kontratat e logjistikës dhe çmimi i rishitjes.

Kështu mikromenaxhimi i tenderëve nuk zhduket. Ai industrializohet. Madje centralizohet edhe më shumë!

Nuk është e nevojshme që kompania t’i jepet formalisht një privati. Ajo mund të mbetet 100% shtetërore, ndërsa pjesët fitimprurëse të tregut—furnizimi, magazinimi, transporti, platforma teknologjike dhe shpërndarja—u jepen privatëve të përzgjedhur përmes kontratave ose sipërmarrjeve të përbashkëta.

Shteti kontrollon arkën dhe mban riskun. Privatët e përzgjedhur mund të marrin kontratat, marzhin dhe klientin e garantuar.

Në Europë ekzistojnë institucione që centralizojnë blerjet. Ekzistojnë edhe modele që blejnë dhe rishesin barna. Por nuk u identifikua një model që bashkon në një kompani të vetme shtetërore të gjitha këto funksione: blerjen, tregtimin, magazinimin, shpërndarjen, katalogun, specifikimet, marrëveshjet e hyrjes, rezervën strategjike dhe ortakëritë private—pa ndarje llogarish dhe pa një rrugë të qartë kontrolli dhe ankimi.

Shqipëria nuk ka nevojë për një kompani më të madhe se sistemi që duhet të kontrollojë. Ka nevojë për kontrolle që nuk mund të fiken, çmime që publikohen, penalitete që zbatohen dhe barna që arrijnë te pacienti.

Qeveria po përgatitet të kalojë nga paracaktimi i fituesit të një tenderi te kontrolli i atyre që lejohen të hyjnë në të gjithë tregun. Duke përditësuar mekanizmin e sistemit që i jep para dhe pushtet pakicës!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.