E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët e zonave naftëmbajtëse në protestë para “Bankers Petroleum”
Lajme

Banorët e zonave naftëmbajtëse në protestë para “Bankers Petroleum”

Kërkojnë pagesën e qirave të prapambetura: Na paguani detyrimet

Banorë nga disa prej fshatrave të zonës naftëmbajtëse kanë protestuar sërish përpara ambienteve të kompanisë “Bankers Petroleum”, duke kërkuar shlyerjen e qirave të prapambetura për tokat që përdoren nga kompania.

Në protestë kanë marrë pjesë banorë të Belinës, Marinëzës, Kallmit, Sheqishtës dhe Zharrëzës. Sipas tyre, pagesat për qiratë e tokave nuk janë kryer që prej muajit mars, duke krijuar një situatë të zgjatur pasigurie për familjet që presin përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Protesta është shoqëruar me tensione, pasi vetëm disa përfaqësues të banorëve janë lejuar të hyjnë në ambientet e kompanisë për të paraqitur kërkesat e tyre. Pjesa tjetër e protestuesve është ndaluar në hyrje nga forcat e policisë.

Kjo ka shkaktuar debate mes banorëve dhe efektivëve të policisë, ndërsa protestuesit kanë kërkuar që të lejohen të gjithë të hyjnë në ambientet e kompanisë. Situata është tensionuar më tej gjatë përpjekjeve të tyre për të vijuar protestën brenda hapësirave të kompanisë.

Në qendër të kërkesave të banorëve është respektimi i marrëveshjeve të lidhura për përdorimin e tokave dhe pagesa e detyrimeve të mbetura. Ata kundërshtojnë gjithashtu uljen e vlerës së qirasë për tokat e përdorura në aktivitetin e kompanisë.

Banorët shprehen se nuk kërkojnë më shumë sesa zbatimin e kontratave dhe marrjen e pagesave që, sipas tyre, u takojnë prej muajsh. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje konkrete dhe shlyerjen e detyrimeve, ata paralajmërojnë se protesta mund të përshkallëzohet në ditët në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.