E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët: Kaluam natën në soletën e shtëpisë, na u shkatërrua gjithçka
Publik News

Banorët: Kaluam natën në soletën e shtëpisë, na u shkatërrua gjithçka

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në zonën e Vlorës.

Fryrja e lumit Vjosa ka bërë që të dalë nga shtrati në zonën e Urës së Mifolit, duke përmbytur jo vetëm toka bujqësore, por edhe banesa. Shkatërrimi i argjinaturës në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka bërë që të përmbyten banesat në fshatin Fitore. Situata më problematike ishte në fshatin Novoselë, ku numri i banesave të përmbytura ishte më i madh. Pjesëtarët e një familjeje bashkë me bagëtitë qëndruan për disa orë mbi tarracën e shtëpisë, derisa ekipet e shpëtimit i evakuuan. Përmbytje janë regjistruar edhe në fshatin Ferras. Autoritetet thanë se vijon puna në terren për të pastruar nga uji disa rrugë në Bashkinë Gjirokastër, Dropull e Këlcyrë. Nga të dhënat bëhet me dije se janë mbi 1 mijë hektarë tokë të përmbytura, si dhe janë evakuuar gjatë ditës së djeshme 17 familje, disa prej të cilave janë detyruar të hipnin mbi çatitë e ndërtesave. Një pjesë tjetër familjesh janë evakuuar më herët gjatë së shtunës pas paralajmërimeve nga ana e autoriteteve. Familjet e evokuara janë ato që kryesisht i kanë banesat e ndërtuara pranë lumit të Vjosës.

“NIVELI MË I MADH I UJIT NË MIFOL”

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili shkoi në zonën e Vlorës për të parë nga afër situatën nga përmbytjet, tha se rritja e nivelit të ujit tek Ura e Mifolit është më e madhja e parë ndonjëherë. “Nga Veriu në Jug kemi situata emergjence, në Jug është më masive për shkak të përmbytjes, por edhe në Veri, si në Theth, kemi një bllokim rrugësh apo akse ku kalohet me vështirësi, edhe disa fshatra po përjetojnë mungesën e energjisë elektrike”, u shpreh ministri Peleshi. Ministri Peleshi u shpreh për median se situata është emergjente në zona të caktuara në Veri dhe Jug të vendit, por dëmet për shkak edhe të investimeve të kryera vitet e fundit, sipas tij, janë më të vogla krahasuar me vitin 2017. “Dëmi është shumë më i vogël se në vitin 2017, për shkak edhe të ndërhyrjes që kemi bërë në këto vite, ku kemi krijuar një argjinaturë.

Kjo ndërhyrje ka bërë që lumi të mos dalë nga Darëzeza, duke mbrojtur shumë toka nga përmbytjet. Kemi bërë disa evakuime, kemi vepruar në kohë, kemi pasur bashkëpunim edhe nga banorët. I kuptoj emocionet e banorëve në këto situata, por ne kemi 10 ditë që njoftojmë për parashikimin. Prej 10 ditësh kemi ngritur shtabet e emergjencave”, tha ministri Peleshi. Ministri i Mbrojtjes, bazuar edhe në parashikimet e motit nga IGJEUM, tha se pritet që në orët në vijim të kemi përmirësim dhe pritet veçanërisht tërheqja e ujërave pranë urës së Mifolit. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, tha se situata është drejt përmirësimit. “E kemi kaluar pikën e rrezikut dhe jemi drejt stabilizimit të situatës. Edhe për shkak të masave të marra nga Komisioni i Mbrojtjes Civile, kemi arritur të përballojmë me sukses të gjitha pasojat që shkaktoi lumi i Vjosës”, u shpreh ai.

VLERËSIMI I DËMEVE

Edhe kreu i Emergjencave, Haki Çako, tha se niveli kritik i lumit Vjosa ka rënë dhe me tërheqjen e ujërave do të bëhet vlerësimi i dëmeve në banesat e përmbytura. Kreu i Emergjencave tha se situata pritet të përmirësohet dhe të paktën, sipas parashikimeve, në 10 ditët e ardhshme nuk do të ketë reshje të dendura shiu. “Të gjitha strukturat vazhdojnë të jenë në këmbë. “Për fatin e mirë, natyra na favorizon pasi duke filluar nga dita e nesërme do të kemi ditë të kthjellëta, të cilat do të na mundësojnë të bëjmë vlerësimin e njëpasnjëshëm të dëmeve të shkaktuara pas tërheqjes së ujërave. Ajo që është më e rëndësishme, është identifikimi i atyre pikave të rëndësishme që duhen rehabilituar pas investimeve të bëra në këto kohë në të dyja krahët e lumit Vjosa, të cilat kanë parandaluar përmbytjet masive që kanë ndodhur vite më parë, ndonëse kapaciteti i prurjeve ka qenë i jashtëzakonshëm.

Gati 10 ditë së paku një parashikim i mundshëm, koha do të jetë favorizuese dhe të gjitha strukturat do të vazhdojnë, sipas të gjitha prioriteteve, për të rehabilituar të gjithë zonën që ka prekur derdhja e lumit Vjosa”, u shpreh ai. Ndërkohë, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, tha se ishte ndërhyrë me masive gurësh në zonën e çarjes së argjinaturës në Mifol. “Ku kemi pasur problematika, kemi ndërhyrë tek ura e vjetër e Mifolit për të bllokuar çarjen poshtë kësaj ure, duke e mbushur me gurë masiv. Nga ura në Memaliaj mund të shikojmë prurjen e ujërave, shikojmë që ka tendencë rënieje, aktualisht 4.8 metra, pritet të reflektojë poshtë në rrjedhën e lumit në Fier dhe Vlorë dhe të kalojë emergjenca. Nuk ka rrugë të bllokuara. Ndalova për të takuar edhe fermerët se ka situatë të pafavorshme për të mbjellat. Niveli i ujërave do të bjerë shpejt dhe vetë fermerët mund të punojnë për ta eliminuar”, tha Krifca.

Banorët: Kaluam natën në soletën e shtëpisë, na u shkatërrua gjithçka

Një nga banoret e përmbytura nga ujërat e lumit Vjosa deklaroi se kishte qëndruar në soletën e banesës së saj, duke kaluar natën atje që pas vërshimit të ujërave. Zonja pretendoi se nuk ishte lajmëruar më herët nga autoritetet për përmbytjen që do të pësonte. Ajo pretendoi gjithashtu se dëmet e shkaktuara në banesën e saj janë të mëdha. “Nuk ishit informuar?”. “Jo! Nuk na lajmëruan”. “Ku e kaluat natën?”. “Atje sipër në soletë. Aty kemi ndenjur qëkur doli lumi nga shtrati. Policia bashkiake na ka ndihmuar. Nuk më thanë gjë fare”. “A keni dëme në shtëpi?”. “Kemi plot, të gjitha të shkatërruara”. Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha se një pjesë e banorëve kishin refuzuar të evakuoheshin gjatë ditës së shtunë. “Duke filluar që nga dje janë njoftuar të gjithë banorët për t’u larguar, shtëpitë e të cilëve janë të rrezikuara. Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Sigurisht, disa kanë refuzuar të evakuohen gjatë ditës së djeshme, duke u evakuuar sot. Argjinaturat kanë bërë një ndihmesë të madh për të shmangur një situatë katastrofike që mund të ndodhte në këtë territor. Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm, sidomos banorët e kësaj zone”, u shpreh ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.