Banorët përplasen me IKMT-në: Nuk mund të na prishni shtëpinë me një VKM! Le të kalojnë fadromat mbi ne!
Banorët e lagjes “5 Maji” në Tiranë kanë protestuar këtë të hënë, pasi janë kundër vendimit për shembjen e shtëpive në kuadër të procesit të rindërtimit.

Ata kanë debatuar me tone të ashpra me punonjësit e IKMT-së që ndodhen në terren.
“Nuk mund të vish të më prishësh shtëpinë pa qenë e firmosur nga unë, pa rënë dakord”, shprehet një banorë, ndërsa punonjësi i IKMT-së i kthehet me fjalët: “Është VKM-ja, është botuar në fletoren zyrtare”. “Nuk është ligj VKM-ja”, shprehet banori duke iu përgjigjur punonjësit të IKMT-së.
Ndërkaq një tjetër banore e moshuar e lagjes “5 Maji” shprehet: “Si ka mundësi me ardh shteti me na marr shtëpitë edhe të thotë merr borxh. Jetoj prej 25 vitesh. Si ka mundësi shteti me ardh. Serbia me ardh nuk e bën kështu! Ku të marr borxh. Nuk kam besim kund. Nuk jam njeri që nuk besoj, por këto janë mashtruesa. Erdhën njëherë, thanë jo i ka shemb tërmeti. Këto mos pafshin më për këtë popull”.
Një tjetër pronar banese thotë: “Pse duhet të sillem dyerve të gjykatave kur nuk ka asgjë konkrete, nuk ka asnjë marrëveshje. Le të më hedhë në gjyq bashkia, shteti, dhe unë të paraqitem në gjyq. Ai vendos të më nxjerrë nga shtëpia, kjo është anakornike. Më thuaj cilin ligj zbaton shteti shqiptar?! VKM-ja nuk është ligj, janë letra që dalin the hidhen poshtë”.
“Nuk largohem unë se nuk kam ku shkoj, jam 10 veta në familje, le të kalojnë fadromat mbi mua, nga këtu nuk largohem, nuk kam vend ku të shkoj”, tha një tjetër banor.
Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj i është bashkuar protestës së banorëve. Ndërkaq, një përfaqësues i Avokatit të Popullit është takuar nga afër me banorët, për tu njohur me shqetësimet e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



