Bardhi i përgjigjet Flamur Nokës për akuzat : Ti falesh te “lala’ i Ramës, fsheh vilën 760 mije euro të oligarkut të farmaceutikës te Gjiri i Lalzit
Teksa demokratët presin vendimin e gjykatës mbi fatin e drejtimit të PD-së, deputetët e dy kampeve të kësaj partie vijojnë akuzat për njeri-tjetrin.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka akuzuar mbrëmë Gazmend Bardhin dhe ish kryetarin, Lulzim Basha se i vendosnin gjoba biznesmenëve dhe më pas u shkonin dhe mbushnin thesin.
“Harroje se ke për të parë Berishën, Nokën dhe çdo deputet tjetër të bëjë atë që ka bërë Lulzim Basha dhe të tijët të sulmojë me një emër filanin dhe ti shkojë ti kërkojë gjobën në darkë. Dhe po nuk iu dha gjoba të vijojnë prapë nesër. Ata oligarkë që ti mendon se i sulmon Gaz Bardhi, jam unë dëshmitar që u rrinte pas dere Lul Basha megjithë Gaz Bardhin për të mbushur thesin”, tha Noka gjatë një debati me një panel analistësh në Euroneës.
Pas akuzave të Nokës, sot është përgjigjur Bardhi që i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të PD-së, të tregojë me emra se kujt biznesmenëve u ka vendosur gjobë.
“Kujt i paskam vënë gjobë unë me denoncimin për katet shtesë pa leje në 14 Korrik në parlament? i kam vendosur gjobë Shefqet Kastratit, mikut të Flamur Nokës? Meqë falet çdo javë te lala i Edi Ramës, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë! Nuk habitem që Flamur Noka është shqetësuar nga denoncimi që i kam bërë paligjshmërisë së Kastratit të Edi Ramës me Kullën përballë Partisë Demokratike. Nuk habitem as nga porosia që i kanë dhënë për të shpifur ndaj meje. Nga personi që akuzoi demokratët e Kukësit se ishin të orkestruar nga Edi Rama për protestat kundër traut të Kastratit në Rrugën e Kombit dhe bëri çdo gjë për shuarjen e tyre, mund të presësh gjithçka. Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë. Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderat në shëndetësi”, shkruan Bardhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



