Bardhi kërkesë Nikollës: Zbato rregulloren, na njofto me kërkesën dhe dokumentet shoqëruese për AHMETAJN
Thirr këshillin e mandateve
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD) ka bërë një kërkesë zyrtare tek Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, për të mbledhur sot pasdite Këshillin e Mandateve në lidhje me rastin e Arben Ahmetajt. Bardhi akuzon se Kryetarja e Kuvendit po e fsheh informacionin nga Prokuroria dhe nuk përmbush detyrimet e Rregullores së Kuvendit.
Bardhi e vlerëson të papranueshme që anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet të informohen përmes mediave për kërkesën e Prokurorisë, duke shkelur Rregulloren e Kuvendit. Sipas rregullores, kërkesa dhe dokumentet për autorizimin e masave të sigurisë në burg ose në shtëpi i dërgohen Kryetarit të Kuvendit nga prokurori.
Kryetari dërgon menjëherë kërkesën dhe dokumentet shoqëruese për shqyrtim në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe informon deputetin përkatës. “Deri në këtë moment, asnjë anëtar i opozitës në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, nuk është njoftuar zyrtarisht lidhur me kërkesën dhe dokumentet shoqëruese për autorizimin”, deklaron Bardhi.
Grupi Parlamentar i PD gjithashtu ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të mbledhjes së Këshillit të Mandateve për të parandaluar dëmtimin e provave në banesën e Ahmetajt.
“Kërkesa përmban nevojën për autorizim për të kontrolluar banesën e deputetit, për të shmangur çdo vonesë që mund t’i japë kohë z. Ahmetaj për të kryer veprime që mund të pengonin drejtësinë, duke zhdukur ose fshehur provat, në përputhje me nenin 13, pikën 6 dhe nenin 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Në emër të 5 anëtarëve të opozitës, kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të hënën, më datë 10.07.2023, në orën 18:00”, thekson Bardhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



