Basha: 3.5 mln euro nga qeveria janë të pamjaftueshme
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një lidhje direkte për News 24, tha se me masat e propozuara, PD ka për qëllim zgjidhjen e problemit, jo propagandën.
Kreu demokrat tha se 3.5 milionë euro të vëna në dispozicion nga qeveria janë të pamjaftueshme.
Ai bëri thirrje që të anulohen kontratat abuzime dhe koncesionet, duke përmendur rrugën e Astirit, për të cilën ishin vendosur 20 milionë euro në dispozicion.
“Masat që po kërkojmë ne janë përmbajtësore, jo forme. Ne kemi qëllim zgjidhjen dhe jo propagandën. Propozimet tona kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, ushqimor, ekonomik, sepse siç thashë, zinxhiri i rrezikut nis me shëndetësinë, dhe i përcillet ekonomisë, ekonomisë së çdo familje shqiptare.Ne kemi propozuar çdo gjë që ne do të merrnim përsipër të bënim nëse do të ishim në qeveri. Ne vërtet nuk kemi buxhetin e vendeve perëndimore, por kur ata japin 15, 16, 17%, ne nuk mund të mbetemi në shifrat e 0.003%. Shifra 3.5 milionë euro është e pamjaftueshme. Ne kemi bërë thirrje që masat të ndërmerren pa humbur kohë. Ndihma që u duhet dhënë biznesit, kryesisht të vogël, punonjësve që nuk kanë marrë rrogat. Kemi propozuar që të vetëpunësuarve në biznesin e vogël, qeveria t’i garantojë 300 euro në muaj, ku shifra totale shkon në 25 milionë euro, një shifër krejtësisht e përballueshme. Duke theksuar se në Astir vetëm një rrugë bën 20 milionë euro”, tha Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



