Basha dhe Meta i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit për “21 janarin”
Hapja e hetimeve për vrasjet e 21 janarit 2011 nga SPAK, duket se ka trazuar politikën. Të gjithë e dimë se ajo protestë u bë për bllokun 700 mijë euro të Ilir Metës. Pasi doli videoja e famshme e Dritan Priftit, PS doli në tubim duke kërkuar largimin e qeverisë.
Mirëpo sot Ilir Meta doli para gazetarëve duke tentuar të lajë duart nga ajo masakër. Ai ja faturoi 4 vrasjet Lulzim Bashës, duke thënë se ministri i Brendshëm i asaj kohe e dinte situatën dhe nuk mori masa.
“SPAK organizatë kriminale që drejtohet nga Dum Dumani. Pas dështimit ku përfaqësues të opozitës e disketituan dhe ku ai botërisht deklaroi se krimi i inceneratorëve ishte intelektual e nuk ishte i lehtë të hetohej, kur gjithë shqiptarët e dinë që është grabitje pa maska në sytë e të gjithë botës… Drejtësia me regji hap 21 Janarin dhe gjen ditën sot për të ndaluar diskretitimin e Dum Dumanit seancën e kaluar në Kuvend. SPAK kërkon të mbajë në presion liderin e PD dhe opozitën e vërtetë ndaj regjimit të narko-trafikantit Rama, sepse është e qartë që nëse ka përgjegjësi në 21 Janar, është e Lulzim Bashës, i cili është paralajmëruar për gjakderdhjen që pritej nga banditët e Ramës. E ka pasur të shkruar skenarin dhe nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e vrasjeve të shëmtuara që ndodhën në bulevard”, tha ai.
Por Basha ka reaguar shumë ashpër. Ish-kreu i PD i ka kujtuar atij bllokun e famshëm, teksa e cilëson si simbol të pandëshkueshmërisë. Sipas tij, 2 vite më pas Meta u bë pjesë e qeverisë së Ramës, pavarësisht se çfarë kishte thënë për të.
“Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund.
Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.
Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj”, shkruan Basha.
Pra duket sikur SPAK u ka futur të dridhurat autorëve të asaj masakre dhe fakti që gjërat kanë nisur të lëvizin, dëshmon se ka shumë për tu zbardhur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



