Basha pritet nga mbështetësit në Dibër: Ata që morën peng Shqipërinë i kanë ditët e numëruara! Rihapim filialin e Universitetit në Peshkopi
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur këtë të shtunë në qytetin e Peshkopisë ku është pritur nga simpatizantë demokratë.
Me thirrjet “Basha! Fitore”, dhe “Rama ik!”, mbështetësit kanë shoqëruar kryedemokratin në bulevardin kryesor të qytetit.
Në fjalën e mbajtur kreu i selisë blu tha se ata që morën peng Shqipërinë dhe Dibrën i kanë orët e numëruara, ndërsa u angazhua për rihapjen e filialit të universitetit në Peshkopi.
“Faleminderit për këtë uragan të shpresës, të entuziazmit, të padurimit të Dibrës për ndryshim. Për vite me radhë kam qenë në mesin tuaj, ku nuk më ka munguar respekti juaj, por asnjëherë më parë nuk e kam parë të mbushet kaq këtë shesh. Shqiptarët kanë kaluar 8 vite të vështira, një dimër 8-vjeçar, i mbushur me vuajtje, padrejtësi, ankth, papunësi, me emigracion të nxitur nga një ekonomi e shkatërruar.
Këto 8 vite kemi qenë bashkë për të kundërshtuar padrejtësitë, zullumet, që kanë shkatërruar ekonomitë familjare dhe kanë ulur kokën e prindërve para fëmijëve të tyre. Ai dhe ata që e morën peng Shqipërinë dhe Dibrën, ekonominë tuaj, mirëqenien tuaj, ata janë një pakicë absolute që i kanë orët dhe ditët e numëruara. Le të bashkohemi si në këtë shesh kudo, ditë për ditë e natë për natë. Le të jemi ne korrierët e ndryshimit për shqiptarët. Së shpejti do ta rimarrë vendin që i ka takuar në çdo fushë, duke nisur me rihapjen e filialit këtu në Peshkopi.
Është krenari kombëtare e mençuri. Dibra ka qenë universitet para se të kishte universitet. E kot është të pyes: A do t’ia hapni më derën të keqes?! A do t’i themi të keqes ik?! Bashkë t’i prijmë ndryshimit që kërkon Dibra”, tha Basha.
https://youtu.be/PYuhJjHeixg
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



