Basha takon farmacistët, denoncon tenderin ‘sekret’: Maskat janë blerë me dyfishin e çmimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar mungesën e barnave nëpër spitale, për kurimin e koronavirusit.
Sipas Bashës, edhe farmacitë kanë pasur probleme me furnizimin me barna.
“Nga të afërm të mi nëpër spitale, kam informacione se ka nisur një mungesë e madhe e medikamenteve për kurimin e Covid. Edhe farmacitë kanë pasur probleme me furnizimin e barnave”, tha Basha.
Kryetari i PD-së, herë pas here i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të rrisë numrin e testimeve. Prej ditësh ai ka zhvilluar takime me bluzat e bardha. Ditën e sotme Basha u takua me disa farmacistë, të cilët shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me furnizimin e ilaçeve.
Më tej ai ka denoncuar edhe tenderin për maskat. Sipas Lulzim Bashës, qeveria i ka blerë maskat me dyfishin e çmimit real.
“Farmacistët as formalisht nuk kanë qenë pjesë e paketës së qeverisë dhe ka dy raste që i janë kushtuar jetë. Qeveria po mundohet të gjejë fajtorë dhe po na përball ne si opozitë me alibi dhe akuza të padrejta, hedhur dhe në drejtimin tuaj për të fshehur skandalin.
Janë hedhur akuza në drejtim të farmacistëve. Ka skandale me tenderat sekretë ku një maskë blihej me dyfishin e çmimit. Të dhënat që më janë përgatitur nga grupi i punës, bëhet fjalë për një maskë që quhet FFP2, që në farmaci blihej me 400 lekë të reja, ndërkohë që në tenderin sekret blihej me 6.5 euro, ose 800 lekë të reja”, tha Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



