Bashkëshortja e Sokol Olldashit lëndohet në protestë
Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Enkeleda Olldashi, bashkëshortja e politikanit të ndjerë Sokol Olldashi, është lënduar nga gazi lotsjellës gjatë protestës studentore në Tiranë.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në zonën e Rrugës së Durrësit, ku situata u tensionua dhe efektivët e policisë përdorën gaz lotsjellës ndaj qytetarëve të pranishëm në tubim.
Në fotografinë e publikuar nga protesta, Enkeleda Olldashi shfaqet me fytyrën dhe sytë e skuqur, pas ekspozimit ndaj gazit. Ajo u është bashkuar studentëve në protestën e tyre, pavarësisht përplasjeve dhe tensioneve të regjistruara gjatë ditëve të fundit.
Një ditë më parë, Olldashi kishte shprehur publikisht mbështetjen për revoltën studentore, duke theksuar se pakënaqësitë e të rinjve duhet të dëgjohen nga të gjithë përfaqësuesit politikë, pavarësisht përkatësisë partiake.
Ajo u shpreh se situata nuk mund të shihet vetëm si përgjegjësi e qeverisë aktuale, por lidhet edhe me mënyrën se si është qeverisur vendi që prej vitit 1991.
Sipas saj, bojkoti është një zgjedhje e vetë studentëve, të cilën pedagogët duhet ta respektojnë. Ajo theksoi gjithashtu se, kur studentët largohen nga auditorët për të protestuar, pedagogët duhet të jenë pranë tyre.
Prania e Enkeleda Olldashit në protestë dhe lëndimi i raportuar nga gazi lotsjellës vijnë në një moment kur tubimet studentore në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



