Begaj merr si këshilltar ish-deputetin e PD-së
Ish-deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, është emëruar këshilltar i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Emërimi i tij vjen pas përfundimit të mandatit parlamentar dhe vendimit për të mos marrë pjesë në primaret e PD-së për zgjedhjet e ardhshme.
Xhaferaj i bashkohet institucionit të Presidencës me një përvojë të gjatë politike dhe akademike, veçanërisht në fushën e sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ai është diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe ka ndjekur studime të avancuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë një specializim në Universitetin e Harvardit për Politikat e Lidershipit (1999) dhe një Master të Dyfishtë në Siguri Ndërkombëtare dhe Çështje të Sigurisë Kombëtare në Naval Postgraduate School. Në vitin 2006, përfundoi doktoraturën në Akademinë e Mbrojtjes.
Karriera politike dhe akademike
Ferdinand Xhaferaj ka qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë për pesë legjislatura, duke përfaqësuar Partinë Demokratike dhe duke mbajtur disa funksione të rëndësishme:
Kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s (1996–1997)
Bashkëkryetar i Komisionit për Integrimin në NATO (2007–2009)
Zv.kryetar i Komisionit për Integrimin Europian (2005–2009)
Anëtar i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian (2005–2009)
Zv.kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare (2021–2025)
Në periudhën 2009–2011, Xhaferaj ka shërbyer si Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Përveç angazhimit politik, ai është marrë edhe me mësimdhënie në institucione të arsimit të lartë si Akademia Ushtarake, Universiteti i Durrësit dhe Kolegji Universitar “Bedër”. Ai ka qenë folës në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare mbi çështjet e sigurisë dhe është autor i monografisë “Deballkanizmi i Ballkanit”, botuar nga shtëpia botuese Dudaj.
Xhaferaj flet rrjedhshëm anglisht dhe italisht, ndërsa fushat e tij të interesit përfshijnë shkencat politike, sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



