Begaj zgjohet ‘nga gjumi’, ofron zyrën e tij për dialog
Presidenti kritika Policisë: Jo forcës jashtë ligjit!
Presidenti i Republikës ka reaguar për përshkallëzimin e protestave në vend, duke kërkuar vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe respektim të ligjit. Në qëndrimin e tij, Kreu i Shtetit ka dënuar dhunën gjatë protestave, por ka tërhequr vëmendjen edhe ndaj veprimeve të Policisë, duke theksuar se përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë brenda kufijve ligjorë dhe proporcionalë.
Në një njoftim zyrtar dhe reagim në rrjetet sociale, Presidenti shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve, ndërsa u bëri thirrje aktorëve të përfshirë të tregojnë përgjegjësi politike dhe vetëpërmbajtje.
Presidenti thërret për ndjenjën e përgjegjësisë
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje”, thuhet në reagim.
E drejta për protestë dhe dhuna
Kreu i Shtetit nënvizoi se e drejta për protestë paqësore është një element themelor i demokracisë dhe se garantimi i saj është detyrim i institucioneve. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se dhuna nuk mund të justifikohet si formë e shprehjes së pakënaqësisë.
“E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit”, thuhet në deklaratë.
Thirrje për dialog dhe respektim të ligjit
Në mesazhin e tij, Presidenti kërkoi që të gjithë aktorët të respektojnë kuadrin kushtetues dhe ligjor, pa përjashtim. Ai gjithashtu u shpreh i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe të rinjve, duke vënë në dispozicion institucionin e Presidentit për dialog.
“Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim. Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, theksoi Kreu i Shtetit.
Tensione të larta në Tiranë
Reagimi vjen në një moment tensionesh të larta në Tiranë, ku protesta është shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, si dhe me dëmtime të institucioneve dhe pronës private. Thirrja e Presidentit synon respektimin e së drejtës për protestë, ndaljen e dhunës dhe garantimin e një ndërhyrjeje policore në përputhje me ligjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



