Bekim Bulica, i dënuar për armëmbajtje te dhuna ndaj policit:

Çfarë tregojnë vendimet e gjykatës
Dokumente gjyqësore të siguruara nga Publik.al hedhin dritë mbi të kaluarën penale të Bekim Bulicës, person i lidhur me kompleksin “Principotes” në Ksamil, ndërsa denoncuesi që i është drejtuar redaksisë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si ai ka përfituar nga vendimmarrjet e drejtësisë ndër vite.

Nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, i datës 29 mars 2021, rezulton se Bekim Haxhi Bulica është gjykuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.
Sipas konkluzioneve të gjykatës, më 19 shtator 2019, rreth orës 20:25, në vendin e njohur si “Gjashtëkatëshi” në qytetin e Kukësit, Bulica ka qëlluar me armë zjarri, të cilën e mbante pa leje, në drejtim të automjetit të Fehmi Cengut.
Në vendim thuhet se viktima kishte deklaruar se një person kishte zbritur nga një automjet, i ishte drejtuar dhe më pas kishte nxjerrë pistoletën duke qëlluar një herë mbi makinën e tij.
Gjykata e Kukësit e deklaroi Bekim Bulicën fajtor për armëmbajtje pa leje dhe e dënoi fillimisht me 4 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht në 2 vite e 8 muaj burgim.
Në të njëjtin vendim përcaktohej se vuajtja e dënimit kishte nisur nga data 7 korrik 2020, kur Bulica ishte ndaluar në Paris të Francës.
Akuza për “Kanosje” u pushua pasi viktima Fehmi Cengu deklaroi tërheqjen e ankimit.
Edhe burime publike konfirmojnë se Bulica ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe se u ekstradua nga Franca në Shqipëri në shkurt 2021, pas masës së sigurisë “arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Kukësit për ngjarjen e vitit 2019. (Shqiptarja)
Denoncuesi: Apeli ia zëvendësoi burgun me shërbim prove
Sipas denoncimit të mbërritur në Publik.al, çështja ka vijuar më pas në Apel dhe dënimi me burgim është zëvendësuar me një masë alternative, “shërbim prove”.
Denoncuesi pretendon gjithashtu se vendimi është dhënë nga një gjyqtar që më pas është larguar nga sistemi gjatë procesit të vettingut.
Publik.al nuk disponon në dokumentet e paraqitura vendimin e plotë të Apelit që të verifikojë në mënyrë të pavarur emrin e gjyqtarit, arsyetimin dhe modalitetin konkret të ndryshimit të dënimit. Për këtë arsye, kjo pjesë mbetet pretendim i denoncuesit deri në sigurimin e vendimit përfundimtar të Apelit.
2023, sërish në kërkim pas dhunimit të një efektivi policie
Dy vjet pas vendimit të Gjykatës së Kukësit, emri i Bekim Bulicës u shfaq sërish në një çështje penale.
Më 2 shtator 2023, Policia e Tiranës njoftoi se një punonjës policie dhe vëllai i tij ishin dhunuar në rrugën “Besim Alla” nga një grup personash.
Për ngjarjen u arrestua Blerim Bulica, ndërsa Bekim Bulica, Besart Bulica, Shaban Bulica dhe Benard Aliaj u shpallën në kërkim. Sipas njoftimit të policisë të raportuar nga mediat, polici dhe vëllai i tij kishin pësuar dëmtime, por ndodheshin jashtë rrezikut për jetën. (Top Channel)
Pamjet e publikuara nga ngjarja tregonin dy personat duke u goditur me shkopinj gome. Në video dëgjohej edhe një prej viktimave duke thënë “Të mbeta në dorë o Bekim”. (Shqiptarja)
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një episod të hershëm penal. Dokumentet gjyqësore dhe të dhënat policore tregojnë se emri i Bulicës është shfaqur në raste të ndryshme të lidhura me armëmbajtjen dhe dhunën.
“Principotes” dhe biznesi në emër të nënës
Sipas të dhënave të publikuara së fundmi, struktura turistike “Principotes” rezulton e lidhur juridikisht me një kompani të regjistruar në emër të nënës së Bekim Bulicës, ndërsa vetë ai është raportuar publikisht si personi që qëndron pas aktivitetit. (Shqiptarja)
Kjo rrethanë merr rëndësi të veçantë në dritën e historikut të tij penal dhe të ngjarjeve ku emri i tij është përmendur nga policia.
Dokumentet e Gjykatës së Kukësit janë të qarta për një fakt: Bekim Bulica është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe është dënuar me burgim.
Po aq fakt është se në vitin 2023 ai është shpallur në kërkim nga policia së bashku me persona të tjerë për dhunimin e një efektivi policie dhe vëllait të tij. (Top Channel)
Për pretendimin se Apeli e ka kaluar dënimin e tij në shërbim prove dhe për identitetin e gjyqtarit që ka marrë këtë vendim nevojitet publikimi i vendimit të plotë të Apelit. Vetëm ai dokument mund të tregojë bazën juridike mbi të cilën është ndryshuar dënimi i dhënë nga Gjykata e Kukësit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




