Berisha gati të ulet në tavolinë me Ramën për pazarin e rradhës
Mesa duket “revolucioni” për përmbysjen e qeverisë është lënë në pushim. Kryedemokrati Sali Berisha ka zbutur tonet dhe është shprehur gati të ulet në tavolinë me Edi Ramën, këtë herë jo për protesta, por për të ndryshuar Kushtetutën.
Berisha tha se mbështet idenë për ngritjen e dy dhomave në Kuvend, atë të Senatit dhe të Parlamentit, duke pranuar kështu edhe pakësimin e numrit të deputetëve. Nga ana tjetër, mazhoranca ka propozuar që deputetët të reduktohen nga 140 në 101, por Berisha nuk pranon që të preket ndarja e bashkive.
“Ka një mendim të kahershëm që vendi të bëhet me dy dhoma. Jam dakord, nëse senati nuk është bllokues por frenues, atëherë i bën mirë vendit. Shqipëria, nëse ngre senatin, duhet të pakësojë numrin e deputetëve. Për zvogëlimin e bashkive nuk jemi dakord,” tha Berisha.
Opozita tashmë ka rënë dakord me mazhorancën për reformën zgjedhore, dhe me këtë ritëm, as ndryshimet kushtetuese nuk duken më aq “revolucionare” për t’u arritur.
Në fund, Berisha shtoi se është “gati të ulet” për të përcaktuar senatin në Kushtetutë, duke treguar se nga “përmbysja e regjimit”, kryedemokrati po kalon tek pazari i radhës për ndarjen e kolltukëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



