E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Berisha sulmon Elira Kokonën: Është Mirlinda e AKSHI-t por për prona
Lajme

Berisha sulmon Elira Kokonën: Është Mirlinda e AKSHI-t por për prona

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza të rënda nga konferenca për shtyp ndaj projektit “Durana Tech Park” në Xhafzotaj të Durrësit, duke e cilësuar atë si një aferë të pastër korrupsioni, të krahasueshme me skandalin e inceneratorëve. Sipas Berishës, nuk bëhet fjalë për një park teknologjik, por për një parajsë fiskale të ndërtuar për ndarjen e tenderëve mes qeverisë dhe klientelës së saj, me bekimin e krimit të organizuar.

Në qendër të akuzave u vendos Korporata e Investimeve Shqiptare, institucioni që administron projektin, dhe drejtoresha e saj, Elira Kokona, të cilën Berisha e përshkroi si hallkë kyçe të skemës. Ai e krahasoi atë me figura të tjera të akuzuara më parë për abuzime, duke e quajtur hapur “Mirlinda e AKSHI-t, por në prona”.

Sipas Berishës, skema funksionon mbi parimin “paguan – përfiton”, ku akseset në tenderë dhe përjashtimet fiskale ndahen sipas kategorive të pagesës: “Gold”, “Silver”, “Platinium” dhe “individuale”. Kategoria “Platinium”, sipas tij, është zemra e monopolit, pa tarifë zyrtare, ku gjithçka negociohet privatisht në nivele të larta dhe ku kompanitë përfituese marrin akses total në tenderë miliona eurosh.

Ai deklaroi se vetëm 45 ditë pas krijimit të një shoqate private të IT-së, qeveria regjistroi me shpejtësi në QKB kompaninë shtetërore “Durana Tech Park”, duke ia kaluar administrimin Korporatës së Investimeve Shqiptare. Më pas, zona e Xhafzotajt u shpall zonë e lirë, duke hapur rrugën për përjashtime nga taksat dhe shmangie fiskale masive, pa u përmbushur asnjë kriter ligjor.

Berisha theksoi se ligji për parqet teknologjike kërkon territor të përcaktuar, infrastrukturë fizike, pika doganore dhe kontroll të flukseve ekonomike — kushte që, sipas tij, nuk ekzistojnë fare në Xhafzotaj. Në vend të tyre, qeveria ka shpikur atë që ai e quajti “model virtual”, një artificë që u lejon kompanive të përfitojnë statusin e parkut pa ndërtuar asgjë, duke punuar në Tiranë apo kudo tjetër.

Në këtë mekanizëm, sipas Berishës, përfshihen tre emra kryesorë: Ermal Beqiri (i njohur edhe si Armand Frangu), Ergys Agasi dhe Elira Kokona, të cilët ai i akuzoi si drejtues të një strukture që shpërndan privilegje, tenderë dhe përjashtime fiskale sipas tarifave të paguara.

“Kjo nuk është reformë, kjo është gjobëvënie. Kjo nuk është zhvillim, por grabitje e ligjshme”, deklaroi Berisha, duke shtuar se ky model e ka shndërruar korrupsionin në sistem qeverisjeje.

Ai e mbylli fjalën e tij me një akuzë direkte ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se, sipas tij, kur korrupsioni nis nga maja e pushtetit, i gjithë aparati shtetëror shndërrohet në një mekanizëm grabitjeje.

Fjala e Berishës për çështjen e Durana Tech Park:

“Legalizimi i parajsës së Troplinëve.

Se ata nuk ndahen pa gjë, jo, dhe ata, mos mendoni ju se, ata kanë aksione te tyre këtu, nuk i japin kot livadhet ata. As arat. Pra, legalizimi i parajsës.

Vetëm 45 ditë pas krijimit të ACTI, shoqatës kombëtare të IT, qeveria me shpejtësi me 20 shkurt 2025, regjistrohet në QKB kompania shtetërore Durana Tech Park.

Pronësia i kalon Korporatës së Investimeve Private, nën drejtimin e famëzëzes Elira Kokona.

Çfarë është kjo Elira Kokona?

Kjo është Mirlinda e AKSHI-t, por në prona.

Përcaktohet zona Xhafzotaj si zonë e lirë duke i hapur rrugën përjashtimit nga taksat për anëtarët e shoqatës të Armand Frangut me alias Ermal Beqiri.

Tre emra lëviz ky mekanizëm. Ermal Beqirin, tashmë të njohur.

Shefin e tij, Ergys Agasin.

Elira Kokonën, garantuesen e infrastrukturës ligjore dhe statusti të parkut Durana.

Dhunimi i ligjit 58, viti 2022.

Ky akt pra, këto vendime janë në dhunim flagrant të ligjit.

Sipas këtij ligji, një park teknologjik që gëzon lehtësi fiskale duhet të jetë në një territor fizik të rrethuar me kufij gjeografikë të përcaktuar, porta hyrëse dhe dalëse të miratuara, pikë doganore funksionale për të kontrolluar flukset ekonomike.

Asnjë nga këto, Troplana nuk plotëson përveç sundimit absolut të Troplinëve në Xhafzotaj.

Shpikja e modelit virtual.

Për të lejuar shmangien e menjëhershme të taksave pa ndërtuar asgjë përdoret koncepti faza e parë, model virtual.

Ky model lejon kompanitë të pretendojnë statusin e rezidentit në Durrës, ndërsa punojnë në Tiranë apo ku të duan.

Ky model nuk ka asnjë bazë ligjore dhe çdo përfitim mbi këtë bazë është ekstraligjor, i paligjshëm.

Rezidentët dhe hierarkia e përfitimit.

Struktura e anëtarësimit në këshillin e Armand Frangut, me emër Ermal Beqiri.

Për të hyrë në Durana Tech Park, kompanitë kalojnë përmes shoqatës së Ermal Beqirit, ku aksesi në tenderat miliona eurosh ndahet sipas shkallës së pagesës.

Kategoria platinium, që është bërthama e këtij monopoli, nuk ka tarifë zyrtare, anëtarësimi negociohet privatisht me Ermal Beqirin dhe këto bëjnë pjesë Createch, Soft Solutions, Hard Tech dhe Communication Progress.

Këto kompani drejtojnë politikat publike dhe përlajnë me tenderat e mëdhenj qindra milionë nga AKSHI dhe institucione të tjera.

Kategoria gold, tarifa 5 mijë euro në vit, përfshin rreth 50 kompani si Horizon, Albascan, Baboon, Siberfar, EA Solutions, kanë akses të lartë në të dhënat e projekteve inovative.

Kategoria silver, tarifa 1 mijë euro në vit, kompani të mesme që kërkojnë mbështetje ligjore dhe orientim në tenderat publikë.

Shikoni se cfarë sistemi i turpshëm, se çfarë gjobëvënie.

Ky është Edi Rama.

E kam theksuar dhe e theksoj 1 mijë herë, se kur kryeministri vjedh, administrata shndërrohet në një lukuni vjedhësish, korrupsioni shndërrohet në sistem.

Kategoria individuale, tarifa 50 euro në vit, këta janë plebejtë, që paguajnë 50 euro dhe shtojnë numrin e anëtarëve të klubit”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.