‘Big Trump-i’ po vëzhgon? Rama shmang fotot me ‘vëlla’ Sorosin

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në edicionin e katërt të samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, të zhvilluar në Barcelonë, një forum që mbledh liderë politikë dhe aktorë ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat demokratike në nivel global.

Ashtu si në evente të ngjashme ndërkombëtare, në samit ishte i pranishëm edhe Alex Soros, i njohur për angazhimin e tij në çështje politike dhe sociale, si dhe për raportet e mëparshme me kryeministrin shqiptar.

Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte mungesa e një fotografie të përbashkët mes Ramës dhe Sorosit. Ky detaj përsërit një situatë të ngjashme nga forume të mëparshme, përfshirë takimet në Davos, ku të dy figurat publike nuk u shfaqën së bashku në mënyrë të dukshme.

Në të kaluarën, vetë Soros ka publikuar imazhe nga takime me Ramën në aktivitete të ndryshme në Europë, duke reflektuar një raport të afërt. Por mungesa e ekspozimit publik për herë të dytë radhazi ka nxitur interpretime mbi një ndryshim të mundshëm në mënyrën se si menaxhohen këto marrëdhënie në publik.

Një lexim i mundshëm lidhet me balancat e reja politike ndërkombëtare. Donald Trump dhe rrethi i tij politik kanë pasur qëndrime kritike ndaj figurave të lidhura me rrjetin Soros, çka mund ta bëjë më të ndjeshme çdo shfaqje publike të liderëve me të.

Shmangia e daljes së përbashkët nuk përjashton mundësinë e një takimi mes tyre në Barcelonë, por sugjeron një qasje më të kujdesshme në menaxhimin e imazhit publik dhe sinjaleve politike që përcillen.

Në një klimë ndërkombëtare të tensionuar, ku çdo detaj merr peshë simbolike, lëvizje të tilla interpretohen si përpjekje për të ruajtur fleksibilitet diplomatik dhe për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me aktorë të ndryshëm globalë.

Publikuar nga Publik Media