Bizneset me borxhe ndaj bashkive
Bizneset që kanë detyrime tatimore ndaj njësive të pushtetit vendor mund të bëjnë pagesën më këste sipas një kuadri të ri rregullativ që ka miratuar së fundmi, Ministria e Financave.
Sipas manualit për këtë qëllim kohëzgjatja e marrëveshjes së pagesës me këste nuk mund të jetë më e madhe se periudha e fundit e vitit të ardhshëm.
Nënshkrimi Marrëveshja e pagesës me këste e detyrimit tatimor fillohet nga taksapaguesi, për shkaqe që kanë të bëjnë me pamundësinë e përkohshme financiare. Kërkesa për pagesën e detyrimit tatimor duhet:
– Të bëhet me shkrim;
– T’i drejtohet titullarit të NJVV;
– Të paraqesë rrethanat në të cilat ndodhet taksapaguesi, që konfirmojnë paaftësinë e tij për të paguar;
– Arsyet përse kërkon ta lidhë këtë marrëveshje.
Brenda dhjetë ditësh nga data e kërkesës, bashkia apo NJVV duhet të pranojë apo refuzojë kërkesën. Kohëzgjatja e marrëveshjes së pagesës mund të jetë maksimumi dy vite.
Nënshkrimi i marrëveshjes së pagesës me këste nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mospagim të detyrimeve.
Marrëveshja mund të zgjidhet nga drejtori i përgjithshëm i Taksave dhe Tarifave Vendore sapo taksapaguesi nuk respekton rregullshmërinë e pagesave të përcaktuara në marrëveshjen mes palëve.
Sipas manualit udhëzues, detyrimi total duhet të paguhet nga taksapaguesi brenda tridhjetë ditëve nga data e zgjidhjes së marrëveshjes. Ditën e parë pas tridhjetë ditëve nisin procedurat e mbledhjes me forcë.
Marrëveshja e propozuar kërkon më tepër vëmendje dhe kujdes sesa propozimet vetjake të individëve taksapagues. inspektori i mbledhjes duhet të jetë i sigurt që biznesi është në gjendje të mirë, ka vetëm probleme likuiditeti dhe nuk do të vazhdojë të shkaktojë borxhe tatimore, të cilat nuk do jetë në gjendje t’i paguajë.
Nëse analizat financiare tregojnë se biznesi nuk është në gjendje të gjenerojë të ardhura të nevojshme për pagesën e detyrimeve tatimore aktuale dhe një shumë të arsyeshme të borxhit tatimor (20% pagesë fillestare), atëherë marrëveshja e pagesës me këste nuk është zgjedhje e përshtatshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



