Bllokohet autostrada Tiranë-Durrës, detajet për devijimin e trafikut
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se gjatë natës së 6 dhe 7 gushtit do të ketë ndërhyrje të përkohshme në autostradën Tiranë–Durrës, për shkak të punimeve që lidhen me zgjerimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja vjen në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”, ku parashikohet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri në zonën e Kasharit. Për realizimin e këtyre punimeve dhe garantimin e sigurisë rrugore, do të zbatohet një plan i posaçëm i menaxhimit të trafikut.
Konkretsht, në datat 6 dhe 7 gusht 2026, në intervalin kohor nga ora 00:00 deri në 04:30, do të bllokohen dy korsi të aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë.
Gjatë këtij orari, lëvizja e mjeteve nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohet përmes rampave lidhëse me autostradën Thumanë–Kashar. Automjetet që kanë si destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë itinerarin në këtë autostradë, ndërsa drejtuesit që udhëtojnë drejt Tiranës do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugët dytësore, për t’u rikthyer më pas në aksin kryesor pas mbikalimit të Kasharit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, bizneseve dhe përdoruesve të rrugës për mirëkuptim dhe respektim të sinjalistikës, me qëllim shmangien e vonesave dhe garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të punimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



