‘B***q****’, Erion Braçe përplaset dhe shtyn gazetarin (VIDEO)
Një incident i tensionuar është regjistruar jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ku deputeti socialist Erion Braçe është përfshirë në një debat të ashpër me gazetarin e News 24, Marsel Rupi, si dhe me një qytetar që po filmonte situatën.
Sipas pamjeve që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale, ngjarja ka nisur kur një qytetar nga diaspora ka filluar të regjistrojë me telefon zhvillimet pranë Kuvendit. Prania e tij ka sjellë reagimin e menjëhershëm të deputetit, i cili i është drejtuar me tone të forta dhe gjuhë të ashpër.
Në përpjekje për të sqaruar situatën, gazetari Marsel Rupi ka ndërhyrë duke i bërë të qartë Braçes se nuk kishte lidhje me personin që po filmonte. Megjithatë, kjo nuk ka ndalur përplasjen, e cila është përshkallëzuar më tej në sy të kamerave.
Në materialet filmike dëgjohet deputeti duke përdorur një gjuhë fyese dhe etiketime të rënda ndaj qytetarit, ndërsa e akuzon atë për përfshirje në aktivitete të paligjshme jashtë vendit. Tensioni i krijuar ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve dhe ka nxitur reagime të shumta në publik.
Ngjarja ka rikthyer në fokus debatin mbi etikën në komunikimin publik dhe sjelljen e zyrtarëve përballë mediave dhe qytetarëve, sidomos në ambiente institucionale ku pritet një standard më i lartë i komunikimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



