Braçe i shkon Berishës në vendin ku qëndron në Kuvend
Debati për çmimin e naftës në Kuvend ka kaluar përtej foltores, duke u kthyer në një përballje të drejtpërdrejtë mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe kreut të opozitës, Sali Berisha.
Pas fjalës së tij në foltore, Braçe është afruar pranë vendit ku ishte ulur Berisha. Në atë moment, ky i fundit i ka treguar diçka në tabletin e tij, ndërsa shkëmbimi i replikave ka vijuar edhe jashtë foltores, në një diskutim të drejtpërdrejtë që është fokusuar te çmimet e hidrokarbureve dhe mënyra si funksionon tregu në vend.
Debati për çmimet e karburanteve
Në fjalën e tij në Kuvend, Erion Braçe u ndal te arsyet e rritjes së çmimeve të naftës, duke theksuar se ato nuk burojnë nga politika qeveritare, por nga zhvillimet ndërkombëtare.
“Çmimet e larta të naftës lidhen me situatën në një rajon të botës që është edhe ndër më prodhueset. Çmimet nuk erdhën nga qeveria, por erdhën të larta për shkak të një situate në një rajon prodhues të naftës, me ndikim në të gjithë botën. Akti është pa ndikim, është përdorur nga data 3-8 prill dhe 8-9 prill dhe efekti ka qenë 37 milionë lekë. Ai që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ka qenë Bordi i Transparencës dhe ka bërë një punë të lavdërueshme në aspektin e përcaktimit të çmimeve. Frekuenca e mbledhjes së Bordit dhe shqyrtimi i çmimit të hidrokarbureve ka bërë që të kemi kontroll më të mirë të çmimit, edhe pse mbeten të larta. Ajo që kam rezervë në raport me Bordin lidhen me transparencën. Mungesa e transparencës fsheh modelin e tregut që kemi, një broker që furnizon me naftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, depoziton naftën në depozita dhe kjo sasi nafte ka një çmim nafte nga dita që del për të shkuar në pompë. Në këtë skemë ka edhe paspagim, edhe para që jepen me interesa, para që gjenden për ta blerë këtë sasi nafte. Brokeri bën shpeshherë edhe rolin e bankës, e palejuar”, tha Braçe.
Përplasja në sallë
Debati nuk mbeti vetëm në nivel deklarativ. Përplasja mes Braçes dhe Berishës mori formë konkrete në sallën e Kuvendit, ku të dy shkëmbyen argumente për çmimet e karburanteve dhe funksionimin e tregut.
Fakti që diskutimi vijoi edhe jashtë foltores tregon nivelin e tensionit politik mbi këtë çështje, e cila mbetet një nga më të ndjeshmet për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



