Braçe nuk tërhiqet, sfidon hapur Ramën e Manstirliun për Tiranën
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka riafirmuar sot ambicien e tij për të kandiduar për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke e bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo garë, pavarësisht zhvillimeve politike brenda partisë.
Braçe theksoi në emisionin “Now me Erla Mëhillin” se synimi i tij mbetet i pandryshuar dhe se kërkon një proces të hapur dhe demokratik për përzgjedhjen e kandidatit socialist për kryeqytetin.
Ai u shpreh gjithashtu i gatshëm të përballet në një garë të drejtpërdrejtë me çdo kandidat tjetër brenda PS-së, përfshirë edhe Ogerta Manastirliun.
Pjesë nga intervista:
Mëhilli: A i qëndroni sërish projektit për të kandiduar në Bashkinë Tiranë?
Braçe: “Është çështje algoritmi kjo, ndaj s’ju ka rënë në sy, sepse janë marrë me protestën. A keni dëgjuar të tërhiqem nga ky projekt? Jo. Nuk tërhiqem nga ajo gjë. Nuk kam kërkuar as nder, as favor, as çelës karriere, as nuk kam kërkuar shpërblim për çfarë kam bërë deri tani. Nuk dua të më emërojnë. Kam kërkuar një proces ku socialistët zgjedhin. Votën e atyre do të kërkoj unë. Edhe atyre që janë gri. Kam kërkuar një proces të hapur demokratik dhe kandidatin e tyre, për ta transformuar Tiranën në një hap të ri dhe në një standard të ri.”
Mëhilli: Çfarë do të bëni nëse Rama nuk e merr parasysh?
Braçe: “Do të vijoj betejën. E ka detyrim statutor. Gara në Tiranë i shërben një procesi demokratik brenda partisë. Të konkurroj me Ogertën, me Arbrin, me kë të doni ju. Nuk ka arsye që PS të bëjë hap prapa.”
Deklaratat e Braçes vijnë në një moment të ndjeshëm politik, ku brenda Partisë Socialiste pritet të kristalizohen emrat për garën në Bashkinë e Tiranës. Qëndrimi i tij për një proces të hapur dhe konkurrues shihet si një sfidë direkte ndaj mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve në parti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



