E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braçe vijon ‘avazin’, i prish terezinë Ramës që në pikë të mëngjesit
Lajme

Braçe vijon ‘avazin’, i prish terezinë Ramës që në pikë të mëngjesit

“Dua Bashkinë e Tiranës”

Mbledhja dyditore e drejtuesve të Partisë Socialiste në Pogradec nuk duket se ka shuar debatet brenda kampit rozë, veçanërisht sa i përket garës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të pranverës 2027.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka konfirmuar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryeqytetin, mungesa e deputetit socialist Erion Braçe në takimin e Pogradecit është shoqëruar me një reagim të drejtpërdrejtë të tij në rrjetet sociale.

Nga Kombinati, Braçe ka kërkuar që gara për Tiranën të mos vendoset në zyra të mbyllura, por përmes një procesi ku të përfshihen anëtarësia e Partisë Socialiste dhe qytetarët.

“Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin. Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës!”, shkruan Braçe.

Deputeti socialist shkon edhe më tej, duke kritikuar mënyrën e vendimmarrjes brenda partisë.

“Nuk pres një njoftim në mur apo në eter, nuk vlen njoftimi, është i vjetër; kriza që po jetojmë ka në thelb mënyrën se si vendosim dhe njoftimi, përjashtues përgjithësisht, nuk është më element i vendimmarrjes.”

Braçe ka bërë të ditur se nuk ka pritur një konfirmim nga drejtuesit e partisë për të nisur punën në terren. Ai thotë se ka nisur të takojë qytetarë dhe të kuptojë problematikat e kryeqytetit.

“Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush ‘do jesh ti, puno tani’; jo, ndjeva njerëzit në rrugët e lagjet e Tiranës… po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë me rrugicë…”, shprehet ai.

Më tej, Braçe e bën të qartë ambicien e tij për të qenë pjesë e garës për Bashkinë e Tiranës.

“Po pres garën e do i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, se punë është!”

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur brenda Partisë Socialiste gara për Tiranën duket se po merr formë, pas konfirmimit të Ogerta Manastirliut si kandidate nga Edi Rama.

Në këtë kontekst, qëndrimi i Braçes hap një debat të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si përzgjidhen kandidatët socialistë dhe nëse gara brenda partisë do të jetë reale apo thjesht formale.

Deputeti socialist argumenton se baza e PS-së dhe qytetarët duhet të kenë rol në përcaktimin e kandidatit, ndërsa kritikon atë që e konsideron si një proces vendimmarrjeje “gjithnjë e më të ngushtë”.

Me qëndrimin e tij, Erion Braçe sinjalizon se nuk e konsideron të mbyllur garën për Tiranën dhe se është i gatshëm të përballet brenda strukturave socialiste për kandidaturën.

Pavarësisht se sinjalet nga drejtimi i PS-së kanë favorizuar tashmë një emër tjetër, Braçe këmbëngul se gara duhet të hapet dhe se ai do t’i shkojë asaj deri në fund.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.