Braho: Ja si do të gjurmohen paratë jashtë me ndihmën e FBI-së
SPAK ngushton rrethin ndaj krimit të organizuar: Në fokus paratë dhe pasuritë e fshehura jashtë Shqipërisë
Prokuroria e Posaçme po forcon bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese për të goditur krimin e organizuar dhe për të gjurmuar paratë e pasuritë e paligjshme të fshehura jashtë vendit.
Gjatë një takimi të nivelit të lartë, të zhvilluar në Tiranë me përfaqësues të rrjetit të Akademisë Kombëtare të FBI-së, përfaqësuesi i SPAK-ut, Klodian Braho, foli për sfidat me të cilat përballen aktualisht hetuesit.
Sipas tij, grupet kriminale përdorin teknologji të sofistikuara për të fshehur komunikimet, ndërsa transfertat financiare dhe asetet i shpërndajnë në disa shtete, me qëllim shmangien e drejtësisë.
Një hetim mund të nisë në Tiranë, por gjurmët e aktivitetit kriminal shpesh shtrihen në disa vende të botës. Për këtë arsye, shkëmbimi i shpejtë i informacionit dhe koordinimi me partnerët ndërkombëtarë janë kthyer në elementë vendimtarë për zbardhjen e dosjeve komplekse.
Bashkëpunimi me rrjetin e profesionistëve të trajnuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së synon ta shndërrojë njohjen ndërmjet strukturave në veprime konkrete hetimore. Në këtë proces janë përfshirë SPAK-u, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe agjenci të tjera shqiptare të zbatimit të ligjit.
Informacionet e siguruara nga hetimet në Shqipëri po përdoren për zbardhjen e çështjeve në shtete të tjera evropiane, ndërsa të dhënat e mbledhura jashtë vendit po ndihmojnë hetimet e zhvilluara në Tiranë.
Integrimi i hetuesve shqiptarë në rrjetet dhe akademitë ndërkombëtare të sigurisë krijon mundësi më të mëdha për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me burim kriminal.
Mesazhi për organizatat kriminale është i qartë: kufijtë shtetërorë nuk përbëjnë më strehë të sigurt për paratë e pista. Rrjeti ndërkombëtar i drejtësisë po zgjerohet dhe hapësira për fshehjen e pasurive kriminale po ngushtohet.
PJESË NGA FJALA E KRYEPROKURORIT TË POSAÇËM KLODIAN BRAHO
Të nderuar drejtues të rrjetit të Akademisë Kombëtare të FBI-së, të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj. Në emër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju uroj mirëseardhjen në Tiranë. Falënderoj degën evropiane të këtij rrjeti, presidentin e saj zotin Seferi dhe Policinë e Shtetit për organizimin e këtij takimi. Për SPAK-un, bashkëpunimi ndërkombëtar është pjesë thelbësore e punës sonë.
Një hetim mund të nisë në Tiranë, ndërsa komunikimet, transfertat bankare, pasuritë që kërkojmë të gjurmojmë na çojnë në disa shtete të tjera. Në këto raste përparimi i hetimit varet dhe nga kolegu që kupton kërkesën tonë, e trajton atë me përgjegjësi dhe na ndihmon të sigurojmë provën që na mungon.
Besoj se shumë prej jush e njohin mirë këtë përvojë. E dini sa rëndësi ka të njohësh institucionin të cilit i drejtohesh dhe të kesh besim te profesionistët që punojnë atje. Këtu qëndron dhe vlera e shtuar e këtij rrjeti.
Përvoja e përbashkët në Akademinë Kombëtare të FBI-së krijon marrëdhënie që vijojnë gjatë edhe pas përfundimit të trajnimit. Ky rrjet i mban ato aktive dhe ndihmon që njohja mes kolegëve të kthehet në bashkëpunim konkret.
Këtij komuniteti profesionistësh i është bashkuar tashmë dhe i diplomuari i parë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, krahas kolegëve të shumtë nga Policia e Shtetit dhe nga institucione të tjera ligjzbatuese shqiptare.
Së shpejti programin do ta ndjekë dhe përfaqësuesi i dytë i BKH-së. Ky përfaqësim na nderon dhe na ngarkon me përgjegjësinë për ta ndarë përvojën e fituar me kolegët tanë. Në Shqipëri kemi bërë përparim në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka patur një rol të rëndësishëm në këtë proces.
Nga hetimet tona kemi fituar njohuri mbi mënyrën si organizohen grupet kriminale, si krijojnë lidhje përtej kufijve dhe se si fshehin dhe lëvizin përfitimet e tyre.
Këto njohuri mund të ndihmojnë dhe hetimet që zhvilloni në vendet tuaja. Për SPAK-un, bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve, me të njëjtin seriozitet që presim për kërkesat tona.
Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj, një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri. Pikërisht në këtë punë të ndërsjellë ndërtohet besimi dhe dëshmohet se mund të mbështetemi te njëri-tjetri.
Falënderoj veçanërisht FBI-në dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe ekspertizën që ndajnë me ne. Angazhimi ynë është t’ju përgjigjemi me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtin seriozitet.
Uroj që nga këto ditë në Tiranë të merrni me vete ide të dobishme për punën tuaj dhe të njihni kolegë të cilëve mund t’i drejtoheni nesër me besim. Ju faleminderit dhe punë të mbarë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



