Britanikja rrezikoi të humbasë biletën fituese prej 12 ml paundësh
Një grua 46-vjeçare nga Uellsi po përjeton ditë ankthi, pasi pretendon se bileta e saj fituese e lotarisë, me vlerë 12 milionë paund, është hedhur gabimisht në kosh nga një punonjës dyqani.
Sipas Kath Main, ajo zbuloi se çmimi i madh i shortit të 6 qershorit nuk ishte tërhequr ende, kur kontrolloi numrat fitues dhe kuptoi se përputheshin me kombinimin që familja e saj luan prej rreth 20 vitesh.
Ajo thotë se bileta ishte dërguar nga nëna e saj në një pikë shitjeje për t’u verifikuar, ku një punonjës i kishte thënë se nuk ishte fituese. Duke besuar se bileta nuk kishte vlerë, ajo u hodh në kosh dhe më pas mbeturinat u larguan, duke e bërë të pamundur rikuperimin e saj.
“Ndjehem keq gjatë gjithë kohës. Pjesa më e vështirë është të mos dish çfarë do të ndodhë,” është shprehur 46-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve dhe arkëtare në një klub regbie.
Sipas saj, vetëm pasi lexoi në media se çmimi i madh nuk ishte tërhequr ende, kontrolloi sërish kombinimin e numrave dhe kuptoi se ai përputhej me biletën që familja kishte luajtur.
Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi procedurat e verifikimit të biletave të lotarisë, ndërsa mbetet e paqartë nëse fituesja e pretenduar do të mund të provojë të drejtën për çmimin milionësh pa poseduar biletën origjinale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




