Bujqësia lihet në mëshirë të fatit, bankat mbyllin rubinetin: vetëm 1.3% e kredive për bizneset shkon te fermerët
Bujqësia vijon të përballet me mungesë të financimit, ndërsa sektori mbetet në fund të listës sa i përket kreditimit nga bankat. Të dhënat e fundit tregojnë se vetëm 1.3% e portofolit të kredisë për bizneset i është dhënë bujqësisë, një nivel që nuk ka ndryshuar krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit 2026, bujqësia zinte vetëm 1.3% të portofolit të kredisë për bizneset. Në një portofol prej 100 lekësh kredi, rreth 46.2 lekë shkojnë për tregtinë, 21.7 lekë për ndërtimin, ndërsa vetëm 1.3 lekë për sektorin bujqësor.
Pavarësisht se kreditimi i bizneseve është zgjeruar gjatë këtij viti, bujqësia nuk ka përfituar ndjeshëm nga kjo rritje. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, kredia për bizneset u rrit me 11.6% në terma vjetorë, por kontributi i bujqësisë në këtë zgjerim ishte vetëm 0.1 pikë përqindjeje.
Në të kundërt, tregtia kontribuoi me 6.1 pikë përqindjeje, ndërsa industria me 3.3 pikë përqindjeje në rritjen e kreditimit.
Shifrat tregojnë një hendek të dukshëm mes rëndësisë që ka bujqësia në ekonominë shqiptare dhe aksesit që bizneset e këtij sektori kanë në financimin bankar. Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm në një kohë kur sektori i blegtorisë po përballet me tkurrje të vazhdueshme.
Në këto kushte, pavarësisht rritjes së përgjithshme të kreditimit, bujqësia vijon të mbetet një nga sektorët më pak të financuar nga sistemi bankar, me një peshë pothuajse të papërfillshme në portofolin total të kredive për bizneset.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



